Pas 5 vitesh, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do t’i rikthehen mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive. Pas Pogradecit në 2017, do të jetë Shkupi që do të mikpresë të hënën kabinetet e dy qeverive.
Janë parashikuar rreth 20 marrëveshje dhe memorandume që do të nënshkruhen pas përfundimit të fjalimeve të dy kryeministrave dhe diskutimeve të të gjithë anëtarëve të kabineteve që janë parashikuar të jenë të hapura për mediat.
Kryeministri Koveçevski nuk jep shumë detaje për nënshkrimet.
“Qytetarët mund të presin që të mund të kemi takime mes 2 qeverie në një atmosfere pozitive për shkak se marrëdhëniet mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë janë të një niveli të lartë”, u shpreh Kovaçevski.
Por Televizioni Klan mëson se do të ketë një marrëveshje për krijimin e task-forcave të përbashkëta në fushën e sigurisë, një protokoll për implementimin e kontrolleve të përbashkëta kufitare në pikën e kalimit Qafe-Thanë/ Kjafasan.
Një program bashkëpunimi mes dy ministrive të arsimit për bashkëpunim në fushën e arsimit dhe shkencën për një periudhë 3- vjeçare, ndërsa pjesa tjetër do të jenë memorandume mirëkuptimi për transformimin digjital, për politikat sociale dhe mbrojtjen e fëmijëve, memorandume që do të nënshkruhen pothuaj për çdo dikaster.
Marrëveshje të kësaj natyre, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë nënshkruar dhe si pjesë e nismës Open Balkan, por në këtë rast janë marrëveshje trepalëshe ku jane të angazhuara dhe autoritetet e Serbisë.