Ish-kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është në prag të një rikthimi dramatik në pushtet.
Kjo, pasi rezultatet e pjesshme tregojnë se ai është në rrugën e duhur për të fituar një shumicë në parlament me ndihmën e së djathtës ekstreme.
Lajmi u bë i ditur nga multimediali britanik “BBC” dhe agjencitë vendase “Haaretz” dhe “Jerusalem Post”.
Me 86 për qind të votave të numëruara nga zgjedhjet e përgjithshme, blloku i Netanyahu-t do të fitojë 65 nga 120 ulëse.
Partia Likud e Benjamin Netanyahut ka fituar një tjetër mandat, duke u rritur në 32 mandate.
Yesh Atid mbetet me 24 mandate, Partia e “Sionizmit Fetar” me 14 mandate dhe Partia e Unitetit Kombëtar me 12 mandate.
Shas zbriti në 11 mandate dhe Judaizmi i Torës së Bashkuar është në tetë mandate.
“Ne jemi afër një fitoreje të madhe”, deklaroi ai para mbështetësve të ngazëllyer në Jerusalem.
Sipas projeksioneve, kreu i Likud-it do të jetë i varur nga mbështetja e partisë ultra-nacionaliste të “Sionizmit Fetar”.
Udhëheqësit e saj, Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich, kanë fituar famë për përdorimin e retorikës anti-arabe dhe përkrahjen e dëbimit të politikanëve ose civilëve “të pabesë”.
Kryeministri aktual Yair Lapid u tha mbështetësve të tij se “asgjë” nuk ishte vendosur ende dhe partia e tij e qendrës së majtë “Yesh Atid” do të presë për rezultatet përfundimtare.
Kush është Netanyahu
Netanyahu, 73 vjeç, është një nga figurat politike më të diskutueshme të Izraelit, i urryer nga qendra dhe e majta, por i adhuruar nga baza e Likud-it.
Ai është një mbështetës i vendosur i ndërtimit të vendbanimeve të Izraelit në Bregun Perëndimor, i pushtuar që nga lufta e Lindjes së Mesme të vitit 1967.
Vendbanimet atje konsiderohen të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar, megjithëse Izraeli e kundërshton këtë.
Ai kundërshton krijimin e një shteti palestinez në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës si një zgjidhje për konfliktin izraelito-palestinez.
Kjo formulë është mbështetur nga shumica e komunitetit ndërkombëtar, duke përfshirë administratën Biden në SHBA.
Netanyahu është gjithashtu aktualisht në gjyq për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit – akuza që ai i mohon ashpër.
Partnerët e tij të mundshëm në një qeveri të koalicionit të udhëhequr nga Likud-i kanë thënë se do të reformojnë ligjin, në një masë që do të ndalonte gjykimin e tij.