Dhjetë persona, banues në Kosovë janë arrestuar nga policia kufitare e Durrësit pasi tentuan që të kalonin drejt Italisë 16 shtetas të mitur.
Sipas njoftimit të policisë, të miturir kishin paguar 3000-4000 euro secili.
Të miturit janë prezantuar si ekip sportiv, ndërsa të arrestuarit janë prezantuar si menaxherë, trajnerë dhe fizioterapistë të ekipit sportiv.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Ekipi” u bë arrestimi i shtetasve: B. B., 48 vjeç, D. Sh., 32 vjeç, D. G., 36 vjeç, F. B., 21 vjeç, F. Gj., 54 vjeç, A. D., 21 vjeçe, Q. K., 20 vjeçe, E. D., 21 vjeç, A. K., 22 vjeç dhe B. H., 37 vjeç, të gjithë banues në Kosovë.
Të gjithë këta shtetas dyshohet se kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, për të ndihmuar 16 shtetas të mitur nga Kosova (të moshës 17 vjeç), që të kalonin në mënyrë të paligjshme drejt Italisë. Shtetasit e arrestuar janë prezantuar si anëtarë të bordit të ekipit sportiv që përbëhej nga 16 shtetasit e mitur që ata po shoqëronin.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se të miturit dhe prindërit e tyre u kanë dhënë këtyre shtetasve, 3000 – 4000 euro, për t’i ndihmuar të miturit që të hynin në Itali, ku më pas dyshohet se do të kërkonin azil.
Gjithashtu, nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi B. H. ka organizuar transportimin e shtetasve të mitur dhe të personave të tjerë tashmë të arrestuar, nga Kosova në Kukës dhe më pas në Durrës, me autobusin e një kompanie turistike në Prishtinë.
Gjatë kontrollit fizik, Policia i ka gjetur këtij shtetasi 5945 euro, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.