A është e drejtë që bredhi të vendoset në qendër të qyteteve tona?

2 Minuta Lexim

Çapajev Gjokutaj

Një palë thoshte jo. Bredhi lidhet me Krishtlindjet, është simbol i të krishterëve. Tri brinjët e tij shenojnë trininë e shenjtë, kurse maja – dëshirën e besimtarit për qiellin e amëshuar.

Por hapsira publike, shtonte kjo palë, është e të gjithëve. Edhe e myslimanëve, edhe e ateistëve etj. Për të mos thënë që bredhin e paguan bashkia, nga taksat. Merr paret e myslimanit dhe bën festën e kaurit, u hakërrye Beqiri.

Pala tjetër këmbëngulte se për shumicën e shqiptarëve bredhi është simbol i vitit të ri. Ashtu si njeriu, edhe simbolet nuk duhen gjykuar nga vijnë dhe të kujt janë, por çfarë bëjnë. Vlerat nuk i përcakton origjina, por meritokracia, e aktualizoi Qaniu.

Ilmiu shtoi se, bashkë me plakun e vitit të ri, bredhi është shndërruar në simbol më përbashkues dhe ka lehtësuar krijimin e festës më masive të shqiptarëve.

Unë shtova se, po të nisemi nga origjina, duhet të mos mbetemi në mes të rrugës, por të vemi deri në rrënjë. Para se të bëhej simbol i Krishtlindjeve, bredhi, gjithnjë i gjelbër, ka qenë simbol pagan i jetgjatësisë.

Simboli, më mbështeti Qaniu, përjetohet me kuptimin aktual. Provo psh të shpalosësh një kryq të thyer para Budestangut në Gjermani dhe të thuash s’është për nazistët, është simbol indoeuropian, mishëron diellin dhe begatinë.

Me argumenta të tillë e tone të zjarrta, shtymë goxha kohë. Si zakonisht, nuk i dhamë dot dum. Kamarjerja na shihte përhumbshëm dhe duke gogësirë tha: Bëhet gjë sikur bredhi të jetë edhe për lindjen e Krishtit edhe për ardhjen e Vitit të Ri?

(Nga cikli ‘Kafe për llafe’)

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull