Akuzat për Ahmetajn, Rama: Raportimet e mediave i marr me shumë rezerva. Prononcohem vetëm nëse do ketë vendim pas përfundimit të hetimeve

2 Minuta Lexim

I pyetur mbi akuzat që janë bërë mbi ish zëvendës kryeministrin, Arben Ahmetajn sa i takon inceneratorëve, kryeministri Edi Rama tha se do të kishte një prononcim për këtë çështje në momentin që do të përfundonin hetimet e SPAK.

Ai përsëriti deklaratën e tij të mëparshme, ku tha se nuk mbante përgjegjësi për veprime që mund të bëhen pas shpinës së tij.

“Respekti im për median në raport me të vërtetën është i mirënjohur. Media është e dyndur nga gjysmë të vërteta. Në rastin konkret bëhet fjalë për diçka, një denoncim që një individ i caktuar ka bërë në SPAK.

Ne as për njerëz që janë kundër PS, as për ish- kryeministrja etj etj, nuk e kemi zakon të prononcohemi. Unë të gjitha që thuhen në media i marr me shumë rezervë. Të vërtetat individuale të gjithësecilit, janë individuale.

Janë tre vepra, në Fier, në Elbasan dhe në Tiranë për të cilat 100 herë të kthehesha mbrapsht, 100 herë do thoja se duhej të ishin bërë. Ajo e Elbasanit, është pronë e komunitetit tanimë, ajo e Fierit është e destinuar të jetë pronë e komunitetit. Ajo e Tiranës e ka shpëtuar kryeqytetin nga plehrat.

Nëse ne nisemi në betejë dhe rrugës dikush këput edhe dardha e mollë për t’i futur në trasta pas shpinës time, kjo është një çështje që ka të bëjë me drejtësinë. Nuk mund të bëhen spekulime dhe komente mbi copa të dhënash të cilat janë të gjitha për t’u hetuar.

Kur të hetohen dhe nëse do ketë një vendim mbi to, atëherë unë do flas përsëri siç kam folur gjithmonë”- u shpreh Rama.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull