Deputetja demokrate, Jorida Tabaku ka dorëzuar gjatë kësaj të premte në Kuvend paketën anti-korrupsion me katër ligje.
Tabaku theksoi se korrupsioni është arsyeja kryesore se pse shqiptarët sot largohen.
Sipas saj, kjo nismë vjen për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë në të cilën korrupsioni është kthyer në gangrenë ndërsa të gjithë raportet ndërkombëtare drejtojnë gishtin tek problemi korrupsionit.
“Së pari, kjo paketë siguron luftë ndaj pastrimit të parave, që fatkeqësisht kanë depërtuar sot në ekonominë tonë. Së dyti, më shumë informacion, transparencë, llogaridhënie me krijimin e sistemit të kontratave publike që e kanë të gjitha vendet e Bashkimit Evropian”.
Pika e tretë sipas saj janë elementë të cilët lidhen me pengimin për të marrë pjesë në garë të kompanive që nuk I njihet pronari, që nuk kanë burime financiare, që nuk kanë asete që do të krijojë më shumë konkurrencë për të gjitha bizneset shqiptare të cilat sot janë të penguara nga kjo.
“Besoj që këto janë disa gjëra konkrete që sot mungojnë! Sigurisht vullnetin politik nuk e siguroj unë! Unë mundem vetëm të jap propozimet, idetë dhe argumentet e mia!”, tha Tabaku.