“Do isha më i fortë se Këlliçi përballë Veliajt”, Alimehmeti rrëfehet pas tërheqjes nga gara e primareve të PD

2 Minuta Lexim

Mjeku Ilir Alimehmeti, i cili u tërhoq nga gara e Primareve të Partisë Demokratike, pasi doli në balotazh me kandidatin tjetër, Belind Këlliçin, ka folur rreth rrugëtimit të tij në politikë.

Alimehmeti tha se vendimi i tij për të marrë pjesë në Primare ishte shumë i thjeshtë dhe se kishte shumë njerëz të cilët e shtynë për ta marrë këtë vendim.

“Vendimi për të marrë pjesë në primare ishte shumë i thjeshtë. Nëse je qytetar në këtë qytet, sheh shumë gjëra që nuk shkojnë. Nuk të lë ndërgjegjja që mund të bësh diçka për këtë vend. Kjo është ndërgjegjja komunitare.

Fjala Bashki do të thotë bashkësi. Ta harrojnë që gjërat ndodhin nëse je pasiv, kuptohet brenda mundësive. Pati një shtytje të madhe, njerëzit që mbështetën kandidaturën time. Një numër i madh njerëzish e donin kandidaturën time.  Unë u propozova nga struktura në masë të madhe”, tha Alimehmeti.

Për rezultatet e 4-dhjetorit kur u zhvilluan primaret e PD, teksa falënderoi mbështetësit e tij, Alimehmeti tha se përqindja e lartë e votave për dikë që sapo hyri në politikë ishte tregues i qartë se njerëzit donin ndryshim.

“Një falënderim i madh që më mbështetën në atë ditë. Mbështetja ishte aktive. Rreth 8 mijë e 600 vetë erdhën për të votuar, rreth 2 mijë prej tyre më mbështetën mua. Ishte tregues i qartë për ndryshim.

Përqindja e njerëzve që kërkojnë ndryshim për mirë është e madhe. Dy figurat e tjera ishin drejtuese dhe të regjur. Nuk është se gara u la përgjysmë. Ne ishim përballë një balotazhi matematikor, por jo politik”, tha Alimehmeti.

I pyetur se nëse do ishte kandidat më i fortë përballë kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, sesa Belind Këlliçi, Alimehmeti u përgjigj me “po”.

“Po. Prandaj kandidova”, tha Alimehmeti për Top Channel.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull