Incidenti që ndodhi në protestën e Sali Berishës, ku ky i fundit u godit me grusht në fytyrë ka sjellë reagimet e demokratëve, të cilët kanë dënuar aktin.
Ish-kryedemokrati Lulzim Basha, deputeti Gazment Bardhi dhe Enkelejd Alibeaj i kanë bërë thirrje policisë që të zbardhin ngjarjen.
“Dënoj me forcë aktin e sotëm të dhunës ndaj Sali Berishës. Sulmi ndaj çdo politikani, e ndaj çdo individi, është një akt i dënueshëm dhe i pavend në një shtet funksional demokratik.
Incidenti i sotëm duhet të zbardhet urgjentisht nga organet përgjegjëse ndërsa kultura e dhunës duhet përjashtuar njëherë e përgjithmonë nga zhvillimet e politikës në Shqipëri”, shkroi Alibeaj.
“Dënoj ashpërsisht sulmin fizik ndaj z. Berisha. Kjo ngjarje duhet të hetohet dhe të zbardhet plotësisht. Dhuna nuk mund të jetë kurrë zgjidhje. Ajo është vetëm tregues i një vendi pa zgjedhje të lira, pa drejtësi, pa demokraci funksionale dhe me korrupsion të pandëshkuar”-shkruan Basha në postimin e tij në Twitter.
“Skenarët me dhunë ndaj kundërshtarit politik janë tipike të një regjimi të korruptuar dhe të kriminalizuar. Akt burracak i Edi Ramës, që nuk tremb dot askënd. Duke dënuar me forcë sulmin fizik ndaj z.Berisha, bëj thirrje që autorët e vërtetë të vihen menjëherë përpara ligjit”, deklaroi Bardhi.