Haradinaj: T’i kalojmë festat si evropianë të civilizuar, e jo në barrikada e me urrejtje

3 Minuta Lexim

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj u ka bërë thirrje serbëve lokalë në veri që të heqin barrikadat, duke thënë se ata nuk kanë arsye të ndjehen as të rrezikuar as të nëpërkëmbur, e aq më pak nuk kanë nevojë ta bllokojnë veten e veriun.

“T’i kalojmë festat e fundvitit në qetësinë familjare e jo në barrikada

Serbët lokalë dhe udhëheqësit e tyre politikë, duhet ta kuptojnë se barrikadat më së shumti po u shkaktojnë dëm atyre. Nuk ka një tjetër rast në kontinentin evropian, (përjashto agresionin rus në Ukrainë), ku pengohet lëvizja e njerëzve, pos në veri të Kosovës.

Kosova ka pranuar që serbët t’i trajtojë si qytetarë të barabartë, dhe në plot raste me të drejta edhe më të avancuara.

Institucionet qendrore kanë hapur të gjitha dyert për integrimin e qytetarëve serbë, duke garantuar sigurinë për ta, duke marrë përsipër obligime të mëdha financiare, duke garantuar përfaqësimin e tyre politik madje edhe duke u dhënë të drejtën e vetos për plot çështje që kanë të bëjnë me interesat e tyre, kjo qoftë edhe duke e diskriminuar popullatën shumicë.

Nuk besoj se ka një rast tjetër ku qytetarët e një shteti për më shumë se 20 vjet nuk e paguajnë rrymën e shpenzuar, por këtë e bën shteti në emër të tyre, siç është rasti i Kosovës.

Prandaj, serbët në veri nuk kanë arsye të ndjehen as të rrezikuar as të nëpërkëmbur, e aq më pak kanë nevojë ta bllokojnë veten e veriun.

I ftoj përfaqësuesit politikë serbë, intelektualët e gjithë njerëzit e arsyeshëm, kudo ku janë, në Kosovë apo në Serbi, që të ushtrojnë gjithë ndikimin e tyre për heqjen e barrikadave.

Po ashtu, u bëj thirrje të gjitha vendeve mike të Kosovës apo të Serbisë, NATO-s e KFORIT, që të ndihmojnë në heqjen sa më parë të barrikadave, kësaj njolle të fundit në Evropë.

T’i kalojmë festat e fundvitit si evropianë e të civilizuar, në qetësinë familjare e jo në barrikada e me urrejtje për njëri-tjetrin.
Miqësisht Ramush Haradinaj”

 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull