Kamera kulturologjike e Aleksandër Çipës

12 Minuta Lexim
Behar Gjoka
Libri më i ri Dheas të fjalës, i A. Çipës, gazetarit, analistit dhe poetit, hap një faqe tjetër të kontributeve të tij në lamitë e shkrimit, tashmë përmes një tejqyre të posaçme në qëmtim të vlerave të heshtura, ose të pa vëne re. Hapësira e larme tekstologjike e teksti, me një spektër të gjerë të figurave dhe zhanreve, letrarë dhe artistikë, e pasuron pentagramin e ligjërimit shkrimor të autorit, me një të mbërrime tjetërsoj, njëherit duke rimarrë një praktikë të njohur, trajtimin e dukurive letrare dhe më gjerë se kaq, nëpërmjet shtjellimeve kulturologjike. Vetiu vjen në mendje sugjerimi i Roland Barthes kur në librin “Aventura semiologjike”, mes të tjerash thekson: Autori, vepra, janë vetëm pikënisje e analizës horizont i së cilës është një ligjërim: nuk mund të ketë një shkencë për Danten, mbi Shekspirin apo mbi Rasinin, po vetëm shkencë mbi ligjëratën., si një domosdoshmëri e trajtimit të tekstit, të madhështisë së fjalës.
Kamera kulturologjike e dekodimit të tekstit/ligjërimit, si shenjëzim estetik dhe dije, me gjasë vetëdije kulturore e shpallur, është çelsi për të mbajtur hapur portat e dijes, si dhe shenjon urën lidhëse në mes letërsisë dhe shtjellimeve kritike, studimore dhe eseistike. Këndshikimi kulturologjik, në hapësirën e teksteve, parashtrohet si marrëdhënie e ndërsjellë me artin, pra edhe me artin e fjalës, me dijen si vetëdije, duke formësuar dhe shpalosur majën e arritjeve kulturore, ndonëse e shprehur me forma shprehësie të larmisë, si reflektim, që bartin subjektivitetin, si dhe me trajta eseistike, që letërsinë dhe dijen, i bashkëlidh në një materie mëvetësie shkrimësie. Në faqet e librit Dheas të fjalës(tokësorë të përjetësisë-shënim imi), autori mbi të gjitha dëshmon lidhjen oraganike më fjalën të shpërfaqur si ligjërim shumëngjyrësh. Ecja e formësimit të individualitetit të vetë, nëpër këto vite, është e dukshme sidomos nëpër dy rrugina:
A – Si gazetar dhe analist, nga më të spikaturit, në harkun e tridhjetë viteve, pra si dëshmues dhe interpretues i realitetit shoqëror dhe politik, gjithsesi të shprehur me anë të fjalës.
B – Si poet me katër libra të botuar me poezi, gjatë kësaj ndërkohe, si: Ikanakë të mbetur (2004), Zhurma e qetësisë (2010), Mbi re s’ka stacione (2014), Deti nuk ka portë (2019), ku qartësisht zbulojmë lëvruesin e fjalës poetike, me verb dhe shprehësi vetanake, natyrshëm ka shtruar udhën për te lënda e librit Dheas të fjalës, që sjellin pranë lexuesit figura të shquara të artit dhe letërsisë, të kontributeve të tyre, si përkujtesë dhe rivlerësim.
Struktura e librit
Materia tekstologjike e librit ofron një gamë të gjerë këndvështrimesh, përcaktime të piketave referenciale, të gjallimit të fjalës letrare dhe më përtej saj, tanimë si lavrim i natyrës kulturologjike, si një pikëprerje kohore dhe hapësinore, vjen e shpalosur në disa rrafshe:
– “Shejzat” dhe “Përpjekja shqiptare”, një përqasje kulturologjike e ndërmjetshme të dukurive dhe autorëve, të periudhave të ndryshme, që materializohet në tre tekste.
– Refleksione, pra shqyrtime të dy niveleve, subjektive dhe të natyrës analitike, që përfaqësohet me tetë tekste gjithsej.
– Poeti të cilit i shndrit vetvetishëm raporti me poezinë shqipe, me katër tekste, ku skicohet profili poetik i Petrit Rukës, por gjithashtu vjen e shpalosur vlerësia e poezishkrimit, përmes një analizë të detajuar të librit me poezi të këtij poeti, “Shamitëzeza qiellore”.
– Udhëtime mendore e të tjera, në të cilin ndeshim gjashtë tekste, ku meditacioni dhe reflektimi ndërthurin esencën e thelbit të mëtimit për të rikonsideruar vlerat dhe shenjat e pranishme në art dhe letërsi.
– Monumentum aereperennius, ku janë prezantuar tetë tekste të kësaj ngjyrese shkrimore, me një anësim nga kujtesa dhe përnderimi i këtyre figurave.
Strukturimi në këto elementë shenjues, si dhe tekstet përfshirëse, kanë mundësuar sendërtimin e një libri të larmishëm, në figura, në tipologjinë shprehëse, në laryshinë e teksteve dhe në tërheqjen e vëmendjes ndaj shenjave letrare dhe kulturore.
Jetëshkrim portretizues
Libri Dheas të fjalës, pra tokësorët që lanë gjurmë, në jetë dhe art, me anë të shtjellimeve kulturologjike, sjellë në vëmendje me dhjetëra figura të kulturës sonë, duke e pasuruar nivelin e njohjes, me anë të gërshetimit të informacionit përkujtues, shpesh herë të shoqëruar me trajtime analitike, të jo pak teksteve letrare dhe jo të tilla, të shqiptuara kështu si një sugjerim për plotësimin e e panteonit të letrave shqipe. Dheas të fjalës, pra tokësor të zëshëm, prurja me e re e A. Çipës, paraqet larmi figurash, trajtime të atypëratyshme dhe jo rrallë të thelluar, duke bartur në tekst hijen jetëshkrimore, me anësim nga kontributi i vyer në fushat lavruese të artit. Kjo praktikë shqyrtuese ngjet me qasjen për veprën e gjerë poetike të Petrit Rukës, duke hyrë kështu në elementët interpretativ të materies letrare. Po ashtu edhe kur merr në analizë prozën e Odise Kotes, e cila sendërgjon analizën e thelluar, duke e pranëvënë me romanet e Kadaresë.
Një vështrim të pasur në parashtrime dhe interpretim është edhe teksti kushtuar përkthyesit Arqile Garo, që me punët e shumta, mban në lidhje oraganike letrat shqipe me letërsinë greke. Edhe për librin e parë të autores Elena Duka, pasi e përmend së është mbesa e Arben Dukës, analizon tesktet poetike, që sjellin një freski ligjërimore. Me impresione befasuese, shkruan për librin e Fate Velës, për pikturat e piktorit nga Pogradeci. Një vëmendje të posaçme u kushton edhe librave të Ethem Rukës dhe Dhimitër Gjokës, që shkruajnë për vendlindjen, pavarësisht fushave të ndryshme që ata mbulojnë. Tekstura endur në këtë ngjizje, të elementëve jetëshkrimorë, me shenjat më përfaqësuese të akteve dhe librave të shkruar, pra gjithsesi të lidhur më magjinë e fjalës, e përthyen lëndën në disa pamje, që e joshin lexuesin, për të kthyer vëmendjen nga vlerat e krijuara në kulturën shqiptare.
Kujtesë dhe interpretim
Në një kuptim, shkrimi i këtij libri, që operon me anë të kamerës kultutologjike, është një akt i mirëfilltë, ma së pari përnderues për figurat e shquara që kanë ikur në amshim, por kaën lënë shenjat e artit dhe fjalës për këndejkohën. Pra, realisht në faqete librit, si ndjesi e shpaluar, jemi edhe në një nderim përkujtues, që bie ndesh më harresën e zakonshme të nahisë tonë, ku përgjithësisht kujtohemi për figurat, kur ikin nga kjo botë, ose na dalin tepër shkrimtarët dhe artistët. Tekstet përkujtuesë, për disa nga njerëzit më të shquar, të vendos pranë e pranë në faqet e librit, veçmas për ata që qenë të lidhur me fjalën, letrare dhe me gjerë se kaq, si Dritëro Agolli, Dhimitër Orgocka, Arbër Xhaferri, Moikom Zeqo, Agron Çobani, Gjok Beci, të Dor Kekos, po ashtu të poetëve jetëshkurtër, Jamarbër Marko dhe Shpëtim Bajraktari, etj. Veçanësia e përkujtesës së këtyre figurave, ku ndeshim edhe praninë e vlerës që bartin tekstet e tyre, lidhet më faktin se për secilin prej këtyre mjeshtrave të ligjërimit të fjalës shqipe, ofron të dhëna për jetën dhe ndalet më gjerë në veprën e tyre duke theksuar kontributin e secilit, si një zbulesë e vlerave estetike, duke ta ndërmendur kështu idenë e Xhevat Lloshit, te libri “Stilistika e gjuhës shqipe dhe Pragmatika”: ‘Ngjyrimi stilistik është vetia e mjeteve të përfshira në organizmin dytësor, që të bien në sy, të ngjallin një përshtypje ose shoqërimi me një ndjenjë, qëndrim, situatë, fushë veprimtarie etj”, duke pikësynuar që të kap dhe ta paraqes për lexuesin atë ngjyresë letrare të përveçme të secilit tekst.
Përqasje dhe polemikë
Me interes në materien kulturologjike të librit Dheas të fjalës, gati – gati një optikë e munguar në arealin e shqipes së sotme, është prania e dy tiepeve ligjërimore:
Së pari: Përqasja e ndërmjetme në mes autorëve dhe teksteve të ndryshëm, si pranvënie reflektuese. Në përqasjen në mes revistave Përpjekja shqiptare, që drejtohej nga Branko Merxhani dhe Vangjel Koço, dhe Shejza, të Ernest koliqit dhe Martin Camajt, të fton për të depërtuar në vlerat e secilës, në pikëtakimet dhe nuanca dalluese. Paralelja përqasëse është një shtysë për të rizbuluar dëshmitë e mendimit, e kërkimit dhe formësimit, të gjurmëve të hulumtimi shkencor, si dhe të shqiptitmit kritik dhe eseistik. Po ashtu, befasues është krahasimi i poezisë së Fatos Arapit dhe Frederik Reshpjes, dy mjeshtrave të ligjërimit poetik në letërsinë bashkëkohore shqipe. Në optikën e përqasjes së ndërmjetshme është pranvënia e Branko Merxhanit me Moikom Zeqon, si një kujtesë dhe vlerësimi për të hipotekuar vlerat e eseistike të Zeqos, sepse Merxhani, tashmë është ngulitur.
Së dyti: Polemika, shpalosur me një etikë të rrokshme, vjen në dy tekste, përkatësisht Ku po e dërgon media shqipen?, dhe Debat vetëndëshkues për të njëjtën dashuri. Në shkrimin e parë dëshmohet vetëdija e problematikës që shfaq media, e shkruar apo vizive, në bjerrjen e shenjave drejtshkrimore dhe drejtshqiptimore, të gjuhës shqipe. Me natyrë më të anësuar nga polemika është teksti që ka marrë në analizë debatin pabukës, në lidhje me përcaktimin e iso-polifonisë, ku më tepër rendet për të qenë flamurtundës të kësaj vlere unike.
Libri Dheas të fjalës, që pason librat me poezi të A. Çipës, nëpërmjet shtjellimeve të rrokshme kulturologjike, derdhur në disa tipologji shprehëse, të dhuron kënaqësi të veçantë në lexim, sepse aty figurohen me penelime të shpejta, shumë figura të kulturës sonë, madje në jo pak raste, shoqëruar me analiza të hollësishme, mbi veprat e tyre, duke i pasuruar kështu rrafshet e njohjes, me anë të gërshetimit të infromacionit përkujtues, shpesh edhe të interpretimeve të detajuara, shqiptuar si një sugjerim përplotësues i panteonit të letrave shqipe, ngrehinës ku lartohet magjia e fjalës.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull