Kosova ashpërson gjuhën: Po nuk reagoi KFOR, i heqim vetë barrikadat serbe

2 Minuta Lexim

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka ashpërsuar gjuhën në lidhje me barrikadat e ngritura prej serbëve në zonën e veriut që pengojnë qarkullimin e lirë të qytetarëve prej tashmë 13 ditësh.

Ministri Sveçla kërkoi nga KFOR të reagojë sa më shpejt në lidhje me këtë situatë në të kundërt do të jenë vetë autoritetet e Kosovës ato që do të largojnë këto pengesa të vendosura në rrugë me kamionë e mjete të tjera.

“KFOR ka kërkuar kohë që ata vetë të bëjnë largimin e barrikadave. Ne tani po presim që këtë angazhim të tyre ta realizojnë. Por, pasi janë bërë 13 ditë dhe ne kemi policë të bllokuar në stacionin policor Jarinjë dhe Leposaviq, ditët që po numërohen, po u vjen fundi.

Unë besoj se KFOR-i dhe gjithë faktori ndërkombëtar do të angazhohet maksimalisht që këtë ta bëjnë sa më shpejt që të jetë e mundur. Por, për hir të një stabiliteti më të madh, ne po presim që kjo të bëhet nga vetë ata që kanë vendosur barrikadat apo KFOR-i. Por, pritja e ka fundin e saj”, tha Sveçla.

Komentet e ministrit erdhën gjatë një konference në Mitrovicë, duke thënë se kushtet që paraqitën serbët për largimin e barrikadave janë të nxitura nga Serbia për të arritur qëllime politike.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull