Brazili ishte ndoshta i zhgënjyeri më i madh në Botërorin që sapo u mbyll, jo sepse nuk luajti futboll dhe nuk tregoi forcën e tij në katër nga pesë ndeshjet që ishte në garë, por për mënyrën sesi erdhi ai eliminim ndaj Kroacisë.
Me “Seleçaon” në garë ndoshta shumë gjëra do të kishin shkuar ndryshe në Katar, por ajo çfarë është më e keqja është se edhe njëherë tjetër, pikërisht atëherë kur dukej se me Titen kishin gjetur balancën e duhur, duhet sërish të nisin gjithçka nga e para. Trajneri ka përshëndetur pas Kupës së Botës, ndërkohë që Federata Braziliane e Futbollit po punon për të gjetur një trajner tjetër, me çdo kusht brenda muajit janar. Por nëse ideja e shumëpërfolur sivjet është ajo e mbërritjes në stol të një trajneri europian, e jo më brazilian, për të shkartisur pak “letrat”, idetë dhe stilin argjentinas, që tashmë ka 20 vite pa prekur Kupën e Botës, duket se kandidatët kryesorë po firojnë dita ditës.
Nëse Pep Guardiola i dogji duke iu përgjigjur pa zë, por me firmën në kontratën e rinovimit me Mançester Sitin, tashmë edhe Karlo Ançeloti, tek i cili shpresat ishin shumë të mëdha, ndonëse italiani pretendohej se mund të firmoste vetëm në fund të këtij sezoni, ka thënë “jo” në mënyrën e tij.
Në një intervistë për median spanjolle, pas një pauze të gjatë si rrjedhojë e mungesës së aktiviteteve, tashmë që Reali i Madridit dhe e gjithë Europa pritet që të nisë “punë” normalisht, Karlo Ançeloti, nuk mund t’i shmangej pyetjeve mbi Brazilin, por mesa duket lidhja e tij me “Galaktikët” është e fortë dhe do të vazhdojë të jetë shumë e fortë.
“Unë të stërvit Brazilin? Sikur të kisha aftësinë të njihja të ardhmen… Edhe pse si person më pëlqen të jetoj ditën. Po nis të ndihem pak plakush tani dhe në Madrid ndihem shumë mirë. Madje, ndihem i karikuar nga kjo pauzë, pasi kemi ende objektiva të rëndësishëm për të arritur. Për t’u ndalur dhe për të menduar për të ardhmen ka kohë, – vazhdon trajneri 63- vjeçar, i cili ka një kontratë me Realin deri në vitin 2024. – Unë kam ende një kontratë jo të shkurtër me Realin dhe nëse presidenti Perez nuk më përzë, unë nuk shkulem që këtu”.
ARGJENTINA, MESI, MODRIÇ – Ndonëse ai ishte i bindur se ky do të kishte qenë Botërori i Brazilit dhe ndoshta kjo joshi edhe më shumë federatën karioka për t’u hedhur në sulm të një simpatizanti të futbollit brazilian si “Karleto”, trajneri i Realit të Madridit përgëzon kampionët e rinj të botës: “Ishte një Botëror i bukur dhe unë mendoj se në fund fiton gjithmonë ai që e meriton. Personalisht prisja që disa gjëra të shkonin ndryshe… Që Modriç mos surprizonte Brazilin? Luka është një i pavdekshëm dhe si i tillë arrin çdo gjë që i ka vënë objektiv vetes.
Ne jemi të bindur se do të rinovojë dhe do të vazhdojë të luajë këtu me ne, ku do të mbyllë edhe karrierën, – vazhdon Ançeloti. – Unë mendoj se Argjentina e meritoi. Kjo, pasi ata gjetën vetëbesimin e duhur gjatë rrugës, falë edhe udhëheqjes së një Mesi në formë fantastike. Po me Benzemanë si do të shkonte? Nuk mendoj se do të kishte ndryshuar ndonjë gjë, në futboll janë një kompleks gjërash që bëjnë diferencën, jo një e vetme”. Për sa i përket kolegut Skaloni, tek i cili askush nuk besonte, Ançeloti shprehet: “U tregua i zoti, sepse nuk shpiku asgjë të re. Thjesht vuri skuadrën në shërbim të skuadrës dhe la që talenti ofensiv që ka të bënte diferencën në sulm. Merita e tij ishte mënyra sesi organizoi dhe menaxhoi grupin gjatë 1 muaji”.
KRISTIANO RONALDO-Lidhur me mbylljen në lot të aventurës së Kristiano Ronaldos në Katar, i cili pasi u kthye nga Lindja e Mesme ndaloi pikërisht në Madrid, në qendrën stërvitore të Realit për t’u stërvitur, pasi i mori leje Ançelotit dhe Perezit, trajneri italian theksoi: “Dualizmi i tij me Mesin i ka dhënë shtytje të dyve që të japin më të mirën dhe të fitojnë gjithçka për vite me radhë. Mesi e përfundoi karrierën me një Botëror, ndërsa Ronaldo do ta bëjë në mënyrë tjetër. Këtu në Madrid Kristiano do të mbetet gjithmonë në zemrën e të gjithë tifozëve.
Ai është ende një futbollist shumë kompetitiv dhe nuk mendoj se bota arabe do të jetë e duhura për të. Prandaj, jam i sigurt se do t’i thotë jo, sado miliona euro që t’i kenë ofruar”.
SEZONI I RI-Për sa i përket asaj që Karlo Ançeloti pret pas këtij Botërori, lidhur me rifillimin e sezonit 2022-2023, 63-vjeçari thotë: “Do të jetë një ruletë ruse… Do të jetë e vështirë të parashikosh skoriet që do të ketë lënë Botërori në kokën e futbollistëve. Disa do të kenë nevojë që të rikarikojnë bateritë, fizikisht dhe psikologjikisht, disa të tjerë ndoshta do të hapin krahët dhe nën erën e entuziazmit do të vazhdojnë atë çfarë nisën në Katar dhe të jenë deciziv për skuadrat e tyre. Kush e di… Presim dhe shohim, ndonëse këtu te Reali i kemi marrë masat për gjithçka”, mbylli intervistën e tij italiani.