Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur alarmin për rënien e vaksinimit të fëmijëve ndaj fruthit, ku një ndër këto vende është dhe Shqipëria. Kjo bën që shumë foshnja nën një vjeç dhe jo vetëm të jenë të riskuara.
Sipas mjekes pediatre Sonila Batri, tregon se shkaku kryesor i rënies së numrit të vaksinimeve ka të bëje dhe me prindërit që dyshojnë se fëmijët e tyre mund t’ju bëhen autiokë, gjë që sipas saj, nuk është vërtetuar shkencërisht.
“Ka ulje të vaksinimit në moshën 1 vjeç se prindërit e shtynë, por është e rëndësishme që të kryhet në moshën 1 vjeç sepse bie edhe imuniteti që trashëgohet nga nëna.
Refuzimi qëndron në autizmin e lidhin në fakt vaksinën e moshës 1 vjeç me një gjë që nuk është vërtetuar shkencërisht dhe që nuk është faktuar dhe që ka të bëjë me autizmin.
Pra ata mendojnë që nëse vaksinojnë fëmijën e tyre mund të ketë gjasa për tu prekur nga autizmi” tha mjekja pediatre në një prononcim për mediat.
Prindërit e lidhin vaksinë e fruthit me autizmin, ndaj nuk i vaksinojnë pa menduar se rriskojnë bashkëmoshatarët e tyre që frekuentojnë çerdhe e kopshte.
Mjekët apelojnë për kryerjen e vaksinës ndaj fruthit, pasi vetëm gjatë vitit 2019 nga neglizhenca ndaj kësaj vaksine humbën jetën 4 fëmijë.
Statistikat tregojnë për ulje të mbulesës vaksinale ndaj fruthit ku në vitin 2021 ajo zbriti në nivelin e 89% nga 95% që ishte para pandemisë.
Ndërkohë, 1 në 10 fëmijë në vendin tonë rezultojnë të prekur me linë e dhenve. Pediatrja Batri ngre alarmin se fëmijët e infektuar nuk duhet të frekuentojnë kopshtet dhe çerdhe, për të mos përhapur më tej sëmundjen ngjitëse.
“Lija e dhenve është një patologji e cila prek grupmoshat e çerdheve dhe të kopshteve. Fillon me temperature, fillon me shfaqjen e elementëve tek fëmijët që nga pjesa e kokës dhe pastaj thuajse në të gjithë trupin.
Kujdes duhet bërë, mos dërgimi i fëmijëve në çerdhe dhe në kopshte, gjë që në fakt pastaj duhet të bëhet shmangia e kontaminimit të fëmijëve të tjerë dhe kontakti me mjekun” tha ajo.