Leart Sinani provoi të shkoi në Itali me trap përmes detit, nga Vlora në Ankona, por autoritetet italiane e kthyen. Ai iu rikthye detit vite më pas, por jo më për veten, por të tjerët. Jo më me trap, por gomone.
Një rrëfim i pazakontë, në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga, i një skafisti, që flet për vitet e errëta për shqiptarët, të cilët mbushën gomonet, në drejtim të Italisë.
Teksa kthehet shumë pas në kohë, Learti përlotet, ndërsa thotë se është dëshmitar i netëve të tmerrit, ndërsa shumë hesape u lanë në det.
“Miqtë tanë që ishin në Itali, na sollën gomone. Kishim gomonet tona. Merrnim 30 deri në 50 mijë dollarë çdo rrugë. Filluam me 1 milionë lireta. Një skaf merrte rreth 30 veta. Kishte kërkesa të jashtëzakonshme atëherë, për të ikur.
Zakonisht iknim me dy-tre gomone bashkë që në rast se kishte ndonjë problem, të rregulloheshim bashkë. Por jo në pak raste kemi humbu shokë, e miq. Kanë humbur në det, janë mbytur. Kemi parë tmerr me sy në ato vite. Jo pak hesape janë larë në det.
Unë jam nga Skela e Vlorës, dhe shumë shokë, miq e komshinj të mi, janë mbytur. Edhe janë vrarë. Kishte hesape që duhet të laheshin. E dija që ishte një rrugë e keqe, por gjithmonë rikthehesha. Kthehesha në shtëpi me çantat plot me para.
Më pas u largova gradualisht, pas një fare kohe nga ajo rrugë. E bëra për familjen, nuk doja ta merrja në qafë. Pastaj më largoi jeta vetë, sepse njëri vritej, njëri mbytej. Rënia në atë lek të madh më shumë i çorientoji vlonjatët. Ata mund ta bënin Vlorën, Nju-Jork. Por nuk e bënë”, u shpreh Sinani në Dritare TV.
Në fund, Sinani ka një mesazh për të rinjtë, për ata që marrin rrezikun duke kaluar La Manshin, me gomone.
“Doja t’u thoja shqiptarëve me fëmijë e me gra, të mos e marrin atë rrugë. Është krim i madh. Ne i kemi mbushur fundet e deteve me trupat tanë, pse duhet të vazhdojmë akoma edhe sot në 2022. Unë e di, e kam të qartë jetën në Shqipëri, është e vështirë, por nuk është më e lehtë të përfundosh në fund të La Manshit”, u shpreh Sinani në Dritare TV.