Tensionet në Veri, Stoltenberg: NATO është e gatshme, e aftë dhe vigjilente

1 Minuta Lexim

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një intervistë për televizionin francez, France 24, ka folur për situatën e sigurisë në Kosovë, pas vendosjes së barrikadave në Veri nga serbët atje.

Sipas tij , NATO përmes trupave të saj në Kosovë në kuadër të KFOR-it është e gatshme, e aftë dhe vigjilente dhe po monitoron nga afër situatën në terren me shumë kujdes.

Stoltenberg, gjatë deklarimit ka kërkuar edhe që Kosova e Serbia të përmbahen nga retorika që rrjedhimisht mund të ushqejë përshkallëzimin e situatës në terren.

“Forcat e NATO-s dhe BE-së bashkëpunojnë ngushtë. Kërkesa ime për të gjitha palët është që të përmbahen nga retorika që kontribuon në përshkallëzimin e konfliktit dhe të ndihmojnë në uljen e tensionet”, ka shtuar ai.

Që nga 10 dhjetori, disa serbë lokalë në Veri ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Veprimet e tyre u ndërmorën pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-pjesëtarin e këtij institucioni, Dejan Pantiç, nën dyshimet për përfshirje në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull