Çmimet e banesave gjatë vitit 2022 janë rritur me ritme tre herë më të larta se mesatarja historike. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, indeksi i çmimeve të banesave në tremujorin e tretë 2022 rezulton me një rritje vjetore 17.6%, ndërkohë që rritja mesatare e historike e këtij treguesi (për periudhën nga tremujori i katërt 2002 deri në tremujorin e dytë 2022) rezulton në nivelin 5.7%.
Vlerësimet e mësipërme të Bankës së Shqipërisë bëhen për nevoja të politikave së saj makroprudenciale në raport me sektorin bankar në vend dhe përfshijnë teknika të zbutjes së indeksit për 8 tremujorët e fundit.
Megjithatë, këto të dhëna tregojnë se tregu i pasurive të paluajtshme vazhdon të shfaqë nivele të larta të rritjes së çmimeve, me gjithë rritjen e inflacionit dhe shfaqjen e sinjaleve të para të ngadalësimit të kredisë bankare.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë së për muajin nëntor të vitit 2022 kredia e re për blerjen e pasurive të paluajtshme pësoi një rënie me 12.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Shkalla e rënies u thellua më tej nga niveli 8.6% i muajit tetor. Këto të dhëna tregojnë se veçanërisht rritja e normave të interesit po reflektohet në një frenim të huasë për blerje të pasurive të paluajtshme nga familjet shqiptare.
Normat e rritura të interesit e bëjnë më pak të përballueshme dhe tërheqëse kredinë, duke ndikuar negativisht kërkesën.
Por, nga ana tjetër, rritja e normave të interesit rrit edhe pragun e nevojshëm të të ardhurave për t’u kualifikuar si huamarrës nga banka, duke ndikuar edhe në rënien e ofertës.
Vrojtimi i aktivitetit kreditues në tremujorin III 2022 tregoi se kushtet e termat e kreditimit në kreditë e reja akorduar individëve janë shtrënguar për herë të parë mbas dy viteve.
Bankat ngushtuan korridorin e tolerancës ndaj rrezikut në kreditimin e individëve në tremujorin e tretë, nën dritën e pasigurive të shtuara dhe kushteve makroekonomike e financiare.
Miratimi i kredive të reja për individët në këtë tremujor u bazua në praktika më të kujdesshme vlerësimi nga ana e bankave, të cilat u reflektuan në standarde, kushte e terma të shtrënguar kreditimi.
Në një mjedis me norma të rritura interesi, është logjike të mendohet se çmimet në tregun e pasurive të paluajtshme do të pësojnë një frenim nga normat marramendëse të rritjes që janë regjistruar sidomos në dy vitet e fundit.
Por, vrojtimi i fundit i Bankës së Shqipërisë për treguesit e ndjesisë ekonomike tregoi se bizneset e sektorit të ndërtimit vazhdojnë të shfaqin pritshmëri për rritje të çmimeve.
Balanca e përgjigjeve (diferenca midis përqindjes së përgjigjeve pozitive dhe përqindjes së përgjigjeve negative) lidhur me pritjet e çmimeve ishte pozitive me 32.3 pikë përqindje për muajin dhjetor 2022.
Megjithatë, ky nivel ishte më i ulëti që prej muajit maj 2022, duke treguar se pritshmëritë për rritje të çmimeve po ulen disi edhe mes bizneseve të sektorit të ndërtimit.