Dy të rinj serbë plagosen në armë zjarri në komunën e Shtërpcës. Kjo nxiti reagime të shumta të drejtuesve të institucioneve të Kosovës dhe nga pala ndërkombëtare. Të rinjtë serbë janë jashtë rrezikut për jetën.
Dy të rinj, pjesëtar të komunitetit serb u plagosën mbrëmë vonë nga një sulm me armë zjarri në fshatin Drajkovc të komunës së Shtërpcës, e banuar me shumicë serbe në jug të Kosovës.
Sipas policisë, të plagosurit janë të moshës 11 dhe 21 vjeçare dhe u qëlluan me armë zjarri nga të dyshuar nga një makinë në lëvizje.
Të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë, policia njoftoi se arriti të arrestoi të dyshuarin kryesor me inicialet A.K. i moshës 33 vjeçare në lidhje me plagosjen. Motivet e këtij sulmi akoma nuk dihen.
Reagime nga politika në Kosovë
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, përmes një reagimi në Facebook, theksoi se “në rastin që ka ndodhur në Shtërpcë është përfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe i njëjti do të trajtohet sipas rregulloreve dhe ligjeve që kemi në fuqi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë”. Ministri Mehaj ka shprehur “keqardhjen më të thellë për atë që ka ndodhur në Shtërpcë”, duke thënë se “raste si kjo janë të izoluara, por si të tilla nuk guxojnë të ndodhin”
Reagimi erdhi edhe nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e cila tha tha, se plagosja e të rinjve 11 dhe 21-vjeçarë në Shtërpcë, është akt i patolerueshëm dhe se autori duhet të vihet para drejtësisë. “Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara maksimalisht që qytetarëve pa dallim etnie t’u ofrohet ambient i sigurt dhe i qetë. Të plagosurve ju dëshiroj shërim të shpejtë, ndërkaq, ftoj organet e sigurisë që rastin ta trajtojnë urgjentisht e sipas ligjit”, thuhet në reagimin e Osmanit.
Edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e dënoi fuqishëm sulmin mbi dy të rinjtë serbë. “Policia e Kosovës veçse ka arrestuar të dyshuarin, i cili pa asnjë mëdyshje duhet dhe do të përballet me organet e drejtësisë. Njësitet relevante do të vazhdojnë hetimet deri në zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij akti të papranueshëm dhe të dënueshëm”, shkroi Kurti, duke siguruar të gjithë qytetarët se “Policia e Kosovës është e angazhuar maksimalisht në kryerjen e detyrave të saj me qëllim të mbrojtjes së jetës dhe pronës së të gjithëve pa dallim”.
Reagimi nga Serbia
I menjëhershëm ishte edhe reagimi i kryeministres së Serbisë, Ana Bernabiq, e cila e ftoi komunitetin ndërkombëtar të veprojë menjëherë. Sipas saj, “serbët nuk janë të sigurt në Kosovë”. “Dënoj fuqishëm këtë krim të ligë dhe kërkoj nga komuniteti ndërkombëtar që të veprojë menjëherë për të sjellë para drejtësisë keqbërësin. Ky rast është në radhën e incidenteve të tmerrshme dhe demonstron peshën e kushteve, në të cilat jetojnë çdo ditë serbët në Kosovë”, shkroi Bërnabiq në Twitter.
Reagime ndërkombëtare
Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jörn Rohde, duke dënuar sulmin në Shtërpcë tha, se “mirëpresim reagimin e menjëhershëm nga Policia e Kosovës”. Edhe komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi “është shprehur i tronditur nga sulmi ndaj dy fëmijëve në Shtërpcë”. “Nuk mund të ketë asnjë justifikim për asnjë dhunë. Atyre u uroj shërim të shpejtë. Besoj se një hetim i plotë do të kryhet nga autoritetet e Kosovës”, shkroi Varhelyi në Twitter.
Reagime pati edhe nga kreu i Misionit të Bashkimit Evropian për Polici dhe Drejtësi EULEX, Lars Gunnar Wigemark, i cili u shpreh, se “ky mision e dënon sulmin e pakuptimtë ndaj një të riu dhe një djali në Shtërpcë”. “Mendimet tona janë me familjet e tyre dhe komunitetin lokal. Njëkohësisht, përgëzojmë Policinë e Kosovës për reagimin e shpejtë dhe arrestimin e një të dyshuari”, shkroi ai në Twitter, duke shtuar se “EULEX-i do të monitorojë nga afër hetimin dhe çdo procedurë të mëvonshme ligjore në këtë rast të dhunshëm kriminal”.
Bllokim i rrugëve
Pas sulmit dhe plagosjes së dy të rinjve serbë, banorët lokalë serbë afër komunës së Shtërpcës, për disa orë bllokuan rrugën kryesore që çon në këtë komunë. Rreth mesnatës pengesat u hoqën nga rruga. Plagosja e dy të rinjve serb afër Shtërpcës në Jug të Kosovës, që nga ministri i mbrojtjes Mehaj u cilësua rast i izoluar, ndodhi vetëm pak ditë pasi u vendos liria e lëvizjes në veri të Kosovës, rajon ky i banuar me shumicë serbe. Aty për 19 ditë serbët mbajtën të bllokuara rrugët në shenjë pakënaqësie kundër arrestimit të një ish-polici serb nën dyshimet për sulm ndaj zyrtarëve të KQZ-së. Barrikadat u hoqën dhe pikat kufitare Kosovë-Serbi u liruan për qarkullim pasi Gjykata Themelore e liroi nga paraburgimi ish-policin serb dhe e vendosi atë në arrest shtëpie./DW