Rezearta Çaushaj
Sipas disa opozitarëve nga Facebook-u, një hajduti i vjen hakut vetëm një hajdut tjetër.
Madje, ky hajduti që vodhi hajdutin e parë, duhet shpallur hero.
Kjo lloj pikëpamje shumë e shtrembëruar mbi moralin, mjafton për të shpjeguar gjithë zhvillimet politike të këtyre 33 viteve në Shqipëri.
Nuk e kemi problem pse je hajdut, por pse nuk je hajduti jonë.
Këtë lloj morali të kalbur e kanë lexuar drejt politikanët tanë dhe e kanë kthyer në institucion.
Ky institucion ka zëvendësuar atë të meritokracisë, votës, zgjedhjeve, drejtësisë e kështu me radhë.
Voto e mblidh vota që hajduti i fisit të bëhet drejtor! Ai do ia vjedh kujt e meriton një vend pune për ty.
Me temperamentin e duhur, ti mund të bësh ndonjë vjedhje të vogël aty te vendi i punës.
Mblidhim vota gjithë ne, hajdutëria e vogël, që bashkarisht të bëjmë të mundur që të zgjidhet kryehajduti jonë në qeveri e Parlament.
Hajdutët tanë do të kalojnë ligje që lejojnë hajninë, sidomos hajnitë e mëdha.
Hajdutët tanë zgjedhin nëpër gjykata hajna të tyre, që të mbrojnë veten dhe hajnat e tyre të vegjël nga ndërshkimi.
Ndonjëherë hajdutët tanë bëjnë marrëveshje me hajdutët tuaj që të mbajmë sistemin e hajnisë në këmbë, duke i dhënë një tis demokracie nën etiketimin “bashkëpunimi pozitë-opozitë”.
Sistemi i hajnisë margjinalizon këdo që nuk është hajdut; madje, e penalizon.
Hajdutët e opozitës detyrohen të zbatojnë të njëjtin sistem plaçkitje sepse ua imponon konkurrenca, por edhe sepse i josh idea që një ditë kryehajdutët do të jenë ata.
Fragment i shkëputur nga libri që nuk do të shkruaj kurrë “Shqipëria, një histori e gjatë hajnie”.