Nga djegia e mandateve te vota për vetingun, si nisi krisja e Agron Çelës me partinë e Metës

1 Minuta Lexim

Kjo fotografi e deputetit të Partisë së Lirisë Agron Çela me Elisa Spiropalin, drejtuesen politike të socialistëve për qarkun e Shkodrës, ngjalli dyshime për një lëvizje të mundshme të tij në Partinë Socialiste.

Ndonëse deputeti Çela nuk ka bërë ende asnjë reagim zyrtar për të konfirmuar këtë lajm, sinjalet për një krisje të marrëdhënieve me ish-Lëvizjen Socialiste për Integrim janë dhënë edhe më herët.

E fundit ishte vota e tij pro zgjatjes së afatit për organet e vetingut në 10 shkurt të 2022-shit duke bashkuar votat me mazhorancës socialiste, kur deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim ndoqën linjën e kryetares Monika Kryemadhi duke abstenuar votimin.

Por krisja e marrëdhënieve të Çelës me LSI duket se ka nisur edhe më herët, në 2019-tën, kur LSI dogji mandatet bashkë me Partinë Demokratike, vendimmarrje të cilën deputeti i Shkodrës asokohe e kritikoi, ndonëse iu bashkua vendimit të shumicës.

Kalimi i Çelës tek socialistët në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit, nuk do të jetë humbja e vetme për Partinë e Lirisë, pasi bashkë me të, siç shihet edhe në foton e publikuar nga Spiropali, do jetë edhe kryetari i Partisë së Lirisë në Shkodër Edmond Ndou.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull