Presidenca suedeze nis konsultimet për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE

3 Minuta Lexim

Presidenca suedeze e Bashkimit Evropian ka nisur konsultimet me vendet anëtare lidhur me kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhe në këtë moment nuk dëshiron të paragjykoj se cilat do të jenë rezultatet e këtyre konsultimeve.

Këtë e ka thënë në Bruksel ambasadori i Suedisë në BE, Lars Danielson, i cili personalisht ka nisur këto konsultime në cilësinë e kryesuesit të radhës së BE-së. Danielson e ka thënë këtë në një takim me gazetarët e akredituar në Bruksel të cilëve u ka shpalosur prioritetet që Suedia do t’i ketë gjatë kryesimit të saj me Këshillin e BE-së.

“Ne po konsultohemi me shumë shtete për të parë se si do të vendosim rreth kësaj kërkese. Kemi pesw vende që nuk e njohin Kosovën dhe është e natyrshme që me to konsultohem së pari. Me disa tashmë jam takuar dhe po vazhdojmë takimet”, ka thënë ai.

Përfaqësuesi i përhershëm i Suedisë në BE ka thënë se vendimi se si të veprohet me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE është procedural por edhe politik.

“Është një vendim procedural por ka një rëndësi të madhe politike. Nuk dua t’i paragjykoj rezultatet e konsultimeve por sapo të shoh se po ndërtohet konsensusi mes vendeve anëtare se si të veprohet do të njoftoj vendet anëtare. Kemi dy alternativa: T’ia bartim Komisionit apo të mos ia bartim Komisionit. Por po punojmë me shumë vullnet në këtë dosje” ka thënë ambasadori, Lars Danielson.

Sipas procedurave në BE pasi një shtet aplikon për anëtarësim, Këshilli kërkon nga komisioni Evropian që të përpiloj mendimin se ai përmbush apo jo aplikuesi kushtet për status kandidati dhe për nisjen e negociatave të anëtarësimit.

Kosova kishte dorëzuar kërkesën formale për anëtarësim në BE me 15 dhjetorë.

Presidenca e atëhershme Çeke nuk ka pasur kohë të shqyrtoj atë kërkesë por vetëm i ka njoftuar vendet anëtare për dorëzimin e saj. Tash atë dosje në duar e ka presidenca Suedeze e cila po konsultohet se si të vendosë.

Pas Suedisë Presidencën e radhës së BE-së e ka Spanja, një vend anëtarë i cili nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës./Rel

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull