Tanja Fajon: Nëse Mali i Zi nuk kthehet në rrugën evropiane, pasojat do të jenë të pashmangshme

4 Minuta Lexim

Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon paralajmëroi politikanët malazezë se nëse nuk lëvizin në drejtimin e duhur dhe nuk kthehen në rrugën e integrimit evropian, pasojat do të jenë të pashmangshme për Malin e Zi.

Në një intervistë për mediumin malazez “Pobjeda”, Fajon tha se nuk do të komentojë se kush duhet apo kush nuk duhet të jetë në Qeverinë e 44-të të Malit të Zi, por theksoi se s’do të ishte mirë që pushteti ekzekutiv të formohej në bazë të ndryshimeve në Ligjin për Presidentin.

“Situata është serioze dhe duhet bërë gjithçka që Mali i Zi të ecë në drejtimin e duhur. Ne jemi të përkushtuar për këtë dhe të njëjtën presim nga lidershipi politik malazez. Është e qartë se nëse kjo nuk ndodh – pasojat janë të pashmangshme”.

“Besoj se nuk do të ishte mirë që kjo të ndodhte në bazë të ndryshimeve shumë të diskutueshme në Ligjin për Presidentin. Për kushtetutshmërinë e atij ligji le të vendos së pari Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi, prandaj është e rëndësishme për të gjithë që gjykata të formohet sa më shpejt”, shtoi ajo.

Kriza në politikën malazeze është thelluar shumë nga miratimi i ndryshimeve në Ligjin për Presidentin e Shtetit si dhe mospajtimi mes partive politike rreth zgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Mesazhe shqetësuese janë dërguar në Podgoricë nga shumë diplomatë evropianë dhe amerikanë, të cilët nuk e kanë fshehur shqetësimin e tyre për pasojat që një ligj i tillë, mund të ketë nrrugën evropiane të Malit të Zi.
Megjithat, Kuvendi i Malit të Zi caktoi kreun e DEMOS-it, Miodrag Lekiç, mandatar për formimin e ekzekutivit malazez në bazë të ndryshimeve në Ligjin për Presidentin.
Një nga mesazhet e fundit drejtuar përfaqësuesve të shumicës parlamentare ishte edhe ajo e ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Podgoricë, Judy Rising Reinke.

Çfarë ka ndodhur nga gushti e deri më sot?

Kujtojmë se Qeverisë së kryeministrit Dritan Abazoviç iu votua mosbesimi në gusht, ndërsa në shtator, shumica e re (e vjetër) parlamentare, përkatësisht deputetët e formacionit pro-rus dhe pro-serb “Fronti Demokratik”, “Demokratët”, dhe “URA” arritën marrëveshje që mandatar për formimin e qeverisë malazeze të jetë Miodrag Lekiç.

Mirëpo, kur ia dërguan propozimin e nënshkruar nga 41 deputetë Gjukanoviç-it, ai refuzoi të konsultohet me Lekiç-in, me arsyetimin se shumica nuk e ka respektuar afatin kushtetues për propozimin e mandatarit.

Më pas, shumica parlamentare miratoi ndryshimet në Ligjin për Presidentin, për të cilat Komisioni i Venecias vlerësoi se nuk janë në pajtim me Kushtetutën, ndërsa Komisioni Evropian apeloi që të respektohet zëri i ekspertëve juridikë ndërkombëtarë.

Gjukanoviç më pas nënshkroi dekretin për shpalljen e ndryshimeve në Ligjin për Presidentin, duke theksuar se ky është obligimi i tij kushtetues, por edhe se me këtë përfundon e gjithë puna e tij, sepse, siç shtoi ai, nuk dëshiron të marrë pjesë në zbatimin e dispozitave të ligjit, të cilat janë antikushtetuese.

Ndërkaq, pavarësisht thirrjeve publike për zgjedhjen e gjyqtarëve, përfaqësuesit e partive parlamentare nuk kanë arritur ende tek konsensusi dhe të zgjidhnin të paktën një gjyqtar, për të zhbllokuar Gjykatën Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese është pa kuorum për vendimmarrje që nga mesi i shtatorit të këtij viti, madje edhe nëse së shpejti shpallet konkursi i ri për gjyqtarë, Mali i Zi edhe në vitin e ardhshëm mund të hyjë me një Gjykata Kushtetuese jofunksionale.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull