Reportazh nga ish – burgu i Valasit në Elbasan
Nga Besim Dybeli
Valas , ku epitafet e të burgosurve kthehen në imazhe miqësie
Elbasan – Diktatura diti ta “respektojë” Elbasanin, jo vetëm më tymin e Metalurgjikut. Jo shumë larg këtij të fundit dhe vetë qytetit , një herë e një kohë qe ngritur një ndër burgjet më të mëdha shqiptare . Asokohe etiketohej “kampi i riedukimit”! Në Valas u ngrit e po aty kanë mbetur gërmadhat e tij . Larg , sa nga qyteti i Cërrikut aq dhe nga qendra e ish-komunës Papër, ( atëherë qendra e ish-kooperativës së bashkuar) ndodhet fshati i Valasit, me vijën hekurudhore përballë , mbi fusha e kodrina , fare buzë lumit të Shkumbinit. Nuk dihet se cili strateg mbrojtjeje piketoi burgun mes malesh, atu nga viti 1974 , që përkon me dënimet më aventuriere të zyrarëve ish-komunistë pas Pleniumeve të famshme të asaj kohe me tradhëtarë e armiq imagjinarë. I shtyrë për tu ndërtuar në krye të këtij fshati , burgu i Valasit do të vendosej në një vend të fshehtë dhe tepër i fortifikuar. Nga të tria anët rrethuar fort me kodra të larta dhe vetm nga Lindja , krijohej një si “dritare” ku , në mungesë të kodrës së katërt , dredhonte një si shteg i ngushtë, mes të cilit gjarpëron një si përrua i vogël që mund të emërtohej kështu ,vetëm kur binte shi. Nga kjo ngushticë kalonin vetëm personat e administratës së burgut , familjarët e tyre apo dhe të burgosurit që vinin me shumicë e liroheshin prej andej me pakicë. Më shkurt , më shumë hynin se dilnin. Në këtë mënyrë , ai dukej vetëm natën.Të paktën për ata që e dinin , natan dukej si një ishull me drita mes malesh , pasi kordoni i llampave të fuqishme qarkonte bashkë me rrethimin prej telash me gjemba duke krijuar kështu formën e një veze gjigande. Ndërsa “karakollët” ( kështu i quanin vendasit rojet) , qëndronin më automatik të tipit “Kallashnikov”nën kapota ngjyrë kaki, në çdo dhjetë metra distancë, pa luajtur as qerpikun, kur frynte erë e pa dremitur aspak kur i këpuste lodhja për gjumë. Brenda “ishullit” qindra jetë të privuara vuanin e ëndërronin si askush tjetër jashtë këtij vendi. Ky burg do të “gjallonte” gjer pas trevjetorit të vdekjes së dikatatorit e ku do të regjistroheshin në afro 15 vjet, rreth 7 mijë të burgosur tranzitë. Të burgosurit vuanin dënimet këtu nga 3 muaj gjer në 20 vjet , kryesisht për krime ordiniere, porqë në seancat brenda hekurave të burgut , rebelët do të fitonin “statusin” e të dënuarve poltikë për t’ju bashkuar kështu “kolegëve” të Spaçit.
Frytet e punës të të burgosurve
Nuk e hanin bukën kot. Shteti i asaj kohe i bëntë mirë llogaritë. Të burgosurit,edhe kryenin dënimin,edhe kontribonin për shoqërinë socialiste,edhe “shpërbleheshin”,kur dilnin nga burgu,për punën e bërë. Për ta ishte programuar një punë e vështirë sikurse programohej darkave programi i “argëtimit” në orët e kulturës masive për të mësuar pëmendësh veprat e diktatorit e,pse jo , edhe të duartrokisnin për të, në raste festash të ndryshme. Kishte nga i gjithë vendi , të dënuar për krime në familje,në shoqëri apo për cënim të pronës kolektive a shtetrore. Para se të ngrihej ku kamp , shtatë kodrat e Valasit , që nga Cërriku dhe gjer në Grykësh të Peqinit , ishin me ferra e driza , ku nuk mund të kullosnin as tufat e bagëtive kolektive të ish-kooperativave bujqësore. Nëpër pyjet e dendura kishte nga të gjitha llojet e kafshëve që jetojnë në Shqipërinë e Mesme. Puna nisi që në dhjetor të viti 1974. Kishte edhe nga ata të dënuar që, si për ironi , gjatë muajti dhjetor, i thonin shoqi-shoqit . – “ Të gjithë në këtë muaj punojnë për pyllëzime të reja, ne shpyllëzojmë!”. Këto dhe shprehje të tjera sikur merrnin zë nga fryma që nxirrnin,përndryshe , gardiani shoqërues ia fuste emrin në listën e ndëshkimit brenda qelive të posaçme për ata që thyenn rregulloren e burgut. Puna nisi me aksion në tri kodrat rreth e rreth kampit. Çdo ditë e re agonte me një brezare të mbaruar në faqen e kodrës. Por jo vetëm kaq. Sapo taraca bëhej gati , nisnin mbjelljet e drurëve frutorë të të gjitha llojeve. Rituali në fjalë u përsërit nëpër të gjtha kodra e Valasit gjer në kufi më Cërrikun , Belshin e në kufi me rrethin e Peqinit. Sipas statistikave të kohës do të mbilleshin rreth dy milion kumbulla , dardhë dhe mollë , disa mijëra hardhi rrushi , mbi 100 mijë rrënjë fiku apo mijëra të tjera rrënjë shegësh, ftonj,pjeshka,protokalla e limona. Nëpër sejcilën brezare,mbilleshin edhe bimë ushqyese barishtore si për ushqim për njerzit,ashtu edhe për kafshët.Pas vitit të parë,ishte dhënë udhëzim nga qeveria që të burgosurit të siguronin vetë të gjitha nevojat për ushqim.Mbase për këtë qëllim,afër kapanoneve të fjetes u ngritën minifermat me derra,viça e lopë. Rreth viteve ‘’85 , Valasi me kodrat mbi “supe” i ngjante Rivierës shqiptare në Jug , paçka se nuk kishte detin pranë. Llogariteshin mbi 500 mijë hektarë taraca në kodra të mbjella me të gjitha llojet e drurëve frutorë,prodhimet e të cilave mblidheshin nga vetë të burgosurit e administroheshin nga ish-sektori i fermës në Cërrik. Ishte një punë kolosale e të gjithë të dënuarve,një pjesë jo e vogël e të cilëve,ishin të detyruar të punonin edhe me këmbët në zinxhirë. Këta konsideroheshin më të rrezikshmit,por djersa e punës së tyre duhej si e gjithë të tjerëve.
Mbishkrime që nuk prishen
Është një poezi me këtë titull. Më duket se e autorit Bernard Breht. Në qendër të fabulës qëndrojnë ca mbishkrime të të burgosurve komunistë , skalitur me mjete të forta në mure,të cilat edhe pasi lyheshin dhjetra herë me gëlqere nga gardianët, sërish lexoheshin. Kështu edhe në burgun e Valasit. Kanë mbetur në faqet e nxira të mureve të qelive me dhjetra mbishkrime të gdhenudra në mure apo të shkruara me bojë. Të vetmet që kanë mbetur pa u prishur,edhe pse pluhuri mbi to duhet fshirë me dorë që t’i lexosh. Ngjanë më tepër si epitafe mbi mure ku jetonin të gjallët, porqë ishin të detyruar të qëndronin brenda me ditë të tëra pa parë ditën e diellit apo “syrin” e hënës. Teksa i lexon sot, ato të japin ndjesinë e dhimbjes e të keqardhjes. – “Më prit e dashur , se dhe pesë vite i kam”, ”Çfar hanë fëmijë e mi sot,unë u kënaqa me fasule!”, ”Erdhi pranvera edhe për mua” , ” O Shën Mari!”, ”A ka drejtësi në këtë botë?”, ”Do ta vras të dashurën kur të dal!” e të tjera mbishkrime që kanë marrë ngjyrën e murrme e që gëlojnë si në heshtje varri nga muret gjysëm të rrenuara të qelive brenda të cilave kushedi se çfar drame njerzore ëshë përvuajtur. Për ironi të kohës, qelitë janë kthyer ne vende për strehimin e bagëtive të vendësave, të cilët kanë ruajtur si me fanatizëm “jetën” pa të burgosur në qeli. Gjithçka tjetër është prishur,vjedhur,dëmtuar apo përshatur për nevoja jetike në komunitet.Një pjesë e kazermave të burgut u prishin qëkurse këtu ishte ende drejtori i at’hershëm i burgut,Ferit Kalaja,që sot nuk jeton më.Materialet iu falën shtetit aty nga viti 1988. Pak ndërtesat që mbetën si ngrehina,u blenë nga vendasit gjatë procesit të ndërrimit të sistemit. Por ata që jetojnë sot aty, jo më tepër se 5 familje,mallokjnë veten që i morën. Nuk kanë mundësi të punojnë tokën. Poshtë shtresës së cekët të dheut,shtrihen sipërfaqe të tëra prej betoni,ndërtuar që atëherë për godinat e burgut ose edhe për siguri, që të burgosurit të mos kishin mundësinë të arratiseshin. Ndërsa “Riviera” e Valasit,ku u derdh djersa e 7 mijë të burgosurve,i ngjan një mali me vija me asgjë nga ç’kshte dikur. Gjithçka është prerë e shkulur dhe kjo ngjau atëherë kur ushtonin thirrjet për të shembur gjithçka në emër të luftës kundër komunizmit! Vendasit ankohen për të gjithë ata që i prenë , i shajnë të gjithë pa pohuar se ishin edhe ata vetë që bënë këtë kasaphanë ,vlera e prodhimeve të së cilës llogaritet mbi 100 milion dollarë në vit.
Miqësitë me ish-të dënuarit
Valasi mund të radhitet ndër ato fshatra shqiptarë pranë burgjeve, që ruan miqësi me shumë rrethe vendit tonë. Rrënjët e këtyre miqësive mund t’i kërkosh këtu e 30 vjet përpara. Këtu vinin familjarë nga katër anët e vendit e, në mungesë të hotelt afër,troksnin nëpër dyert e banorëve të fshatit. Jo pak janë pritur si miq. Siklei i at’hershëm i pritjes dihet kur qumështi matej me gramë,djathi me çika e mishi me pika, kur sigurohej ndonjë tallon. Sipas vendësave,qëllonin që vinin në darkë për të takuar të afërmit e tyre ose i takonin ata e nuk kshin sesi të ktheheshin,ndaj flinin nëpër shtëpitë e tyre. Që atëherë kanë mbetur njohje e miqësi të tilla. Sot, jo pak prej ish-të burgosurve të këtushëm,kthehen bashkë me familjet e tyre,vizitojnë ish-burgun e priten si miq në ato dyer që në atë kohë hapeshin për të afërmit e tyre. Ka shumë familje të tilla. Por , për çudi,asnjëra nuk dëshiron të dalë me emër. Ndoshta si për modesti apo edhe për mentalitet mediatik se “e marrin vesh të gjithë që ne . . . “. Nejse. Tek ky fshat kanë mbetur tre kujtime të pashlyera. Jehona nga jashtë për jetën brenda burgut, krenaria si fshati mes gjithë të mirave e bagative , porse sot nuk i kanë më edhe për fajin e tyre, si dhe kujtimet dhe miqësitë me ish-të burgosurit e familjet e tyre. Sakaq, ka të ngjarë që fshati t’i kthehet nostalgjisë. Po përflitet poshtë e lart se do të ringrihet burgu i Valasit. Mbase, kur dihet se numëri i të burgosurve është aq i madh,sa nuk kanë ku t’i mbajnë. E,nëse ndodh , vetëm brezaret dhe platancionet me drurë frutorë nuk ngrihen më. Ato kanë “vdekur” bashkë me përjetimet e atyre njerëzve që kanë kaluar këtu një pjesë të mirë të jetës së tyre.