Flora Masurica Durmishi: Gratë kanë qenë gjithmonë në frontin e parë të zhvillimit më të lartë shoqëror, kjo po pranohet tani

9 Minuta Lexim

Intervistë me zonjen Flora Masurica Durmishi, publiciste dhe njëra nga drejtueset e Radio Kosovës, ku punon që nga paslufta e këndej. Flora sapo përuroi librin e saj “Përtej kohës” ku solli 39 figura të grave që formësuan kulturën shqiptare. Flora foli për fillimet e saj në gazetari, librin e saj dhe kontributin e grave shqiptare në shoqëri. 

Sapo përuruat librin tuaj nga fusha e publicistikës, me titull “Përtej Kohës: Gra që formësuan kulturën shqiptare”. Na tregoni se çfarë sollët para publikut?

Flora Masurica Durmishi: Po, libri im ‘Përtej kohës: Gra që formësuan kulturën shqiptare” është një prurje e re në fushën e publicistikës dhe është prezantim i një pjese të vogël të punës sime 25-vjeçare në radio me emisionet e para pas luftës për gruan dhe radio portretet. Libri sjell për lexuesit profilet e disa prej grave që kanë lënë gjurmë dhe janë kthyer në referencë të pamohueshme të kulturës sonë mbarë shqiptarë. Ato i përkasin fushës së muzikës, letërsisë, gjuhësisë, kinemasë dhe teatrit, etj. Në këtë mënyrë dhe përmes këtyre rrëfimeve, ne i rikujtojmë lexuesit misionin sublim që gruaja shqiptare ka udhëhequr drejt ndërtimit të një kulture të pasur shoqërore, duke nisur që nga realizimi i vetvetes. Sigurisht, këtu nuk përbëjnë përjashtim as sfidat e tyre jo të lehta dhe pengesat që kanë hasur përgjatë periudhave të ndryshme kur ato janë formuar dhe kanë performuar.

Libri vjen para lexuesve si rezultat i një pune 25-vjeçare. Na tregoni rrugëtimin tuaj në realizimin e këtyre emisioneve…

Flora Masurica Durmishi: Po, unë kam filluar realizimin e emisionit për gruan në një periudhë të hershme të pasluftës kur emisione të tilla nuk ekzistonin, e aq më pak radio dokumentarët. Ishte e domosdoshme që gruaja të kishte hapësirën e saj në media dhe të fliste për çështjet që atë e brengosnin, siç ishte e domosdoshme për ne që të prezantonim punën e tyre të çmuar për shoqërinë. Të kujtojmë që ishin kohë kur ishte e vështirë të ishte grua e lëre më artiste apo studiuese e përkushtuar e me ndikim. Asokohe publiku nuk e kishte të lehtë të gjente shumë informacion për këto gra. Mbaj në mend që në kohën kur unë mendoja të realizoja intervistën me Bilbilin e Këngës, Nexhmije Pagarushën, nuk kishte asnjë informacion në internet, si edhe për Shpresa Gashin e shumë të tjera. Përgjatë 25 vjetëve të punës sime në radio janë realizuar qindra emisione por për shkak të kufizimeve që përcakton formati i një libri, shumë prej personaliteteve të tjera të mëdha gra do jenë pjesë e një botimi të radhës.

Fotografi nga arkivi personal i publicistes Flora Masurica Durmishi. Foto: Flora Masurica Durmishi(Facebook)
Fotografi nga arkivi personal i publicistes Flora Masurica Durmishi. Foto: Flora Masurica Durmishi(Facebook)
 Çka e bën të veçantë këtë libër?

Flora Masurica Durmishi: Në këtë libër kam synuar të përfshij ato që konsiderohen intervistat e para me gra të shquara në periudhën e pasluftës, gra që janë shpërblyer shumë herë jashtë vendit për punën e tyre dhe shoqëria nuk ka pasur rast t’i njohë apo i ka harruar, dhe gra të cilat kanë shërbyer si inspirim dhe kanë hapur shtegun për realizimin profesional dhe identitet e shumë grave të tjera ndër vite. Ky libër mund të jetë i dobishëm jo vetëm për lexues të thjeshtë, por edhe për muzikologë, sociologë, e studiues të fushave ndërlidhëse sepse përmes këtyre personazheve ne kuptojmë karakteristikat e kohës, sfidat, pengesat, standardin e aplikuar në krijimtari, mënyrën se si ka funksionuar shoqëria në periudha të ndryshme, qasjen ndaj vlerave, etj.

 Sa gra dhe cilat janë ato që sollët përmes këtij libri?

Flora Masurica Durmishi: Në këtë libër janë përfshirë 39 profile grash të suksesshme si Nexhmije Pagarusha, Shpresa Gashi, Liliana Çavolli, Shpresa Berisha, Alida Hisku, Irini Qirjako, shkrimtaret si Adelina Mamaqi, Hida Halimi, Elvira Dones, pianistet si Ardita Statovci, Fatjona Maliqi, flautisten Venera Mehmetagaj, violinisten Sihana Badivuku, studiueset si Edi Shukriu, Sala Ahmeti, Giovanna Nanci, Shefkije Islamaj, Jane Sugarman, aktoren e mirënjohur Safete Rogova, piktoren e parë kosovare, Alije Vokshi etj.

Pse vendosët që këto intervista të flasin në letër?

Flora Masurica Durmishi: Pavarësisht përparësive teknologjike që gëzojmë sot, kujtesa që ruan libri është e një niveli tjetër, e një niveli të pathyeshëm do thoja. Gjithashtu libri ka fuqinë të depërtojë edhe tek ajo audiencë që nuk ka qasje regjistrimet tona apo i përkasin një audience më të re. Libri pastaj ka mundësi të arkivohet në vende të ndryshme por është edhe më i paprekshëm ndaj kohës, në kuptimin që secili mund t’i rikthehet sa herë të ketë nevojë, ta konsultojë ngadalë, dhe të jetë i prekshëm për ta sepse dihet që niveli i komunikimit dhe reflektimit është gjithmonë më i lartë kur njeriu ka kontakt të drejtpërdrejtë me letrën.

Pamje nga përurimi i librit të autores Flora Masurica Durmishi. Foto: Flora Masurica Durmishi (Facebook)
Pamje nga përurimi i librit të autores Flora Masurica Durmishi. Foto: Flora Masurica Durmishi (Facebook)

 Sa ishte e vështirë për t’i përzgjedhur intervistat të cilat dëshiroje t’i botoje?

Flora Masurica Durmishi: Ishte shumë e vështirë, në fakt, sepse bëhet fjalë për qindra regjistrime, qindra personalitete që kanë qenë pjesë e emisioneve të mia por që, siç thashë, formati i një libri ka gjithmonë kufizimet e tij. Për këtë arsye, në bashkëpunim me botuesin, vendosëm të përfshinim vetëm 39 gra që kanë kontribuar në fushën e kulturës. Në librin e radhës do përfshihen edhe radio dokumentarët por edhe profilet e burrave që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për shoqërinë tonë e që sot pothuajse nuk kujtohen fare. Të gjitha këto profile duhet të mbeten pjesë e kujtesës sonë kolektive sepse secila prej tyre ka shënuar një kthesë në zhvillimin kulturor dhe e kanë lartësuar atë.

 Cilat ishin ato sakrificat në atë kohë për të marrë në intervistë disa nga ata që kanë dhënë kontribut në shoqërinë e sidomos pasluftës?

Flora Masurica Durmishi: Fillimi nuk ishte i lehtë sepse shumë nga këto personazhe, përkundër rëndësisë që i karakterizonte, nuk ishin të mësuara shumë me mediat e pasluftës, nuk e kanë pasur hapësirën e duhur mediale, ndienin përgjegjësi të theksuar para publikut prandaj shpesh hezitonin që të flisnin fillimisht. Duhej bërë shumë durim që t’i bindja të flisnin. Por më vonë, kur emisioni bëri emër, ka pasur raste kur kanë kërkuar vetë që të ishin pjesë e programit.

Fotografi nga arkivi personal i publicistës Flora Masurica Durmishi. Foto: Flora Masurica Durmishi(Facebook)
Fotografi nga arkivi personal i publicistës Flora Masurica Durmishi. Foto: Flora Masurica Durmishi(Facebook)

 Sa vlerësohet kontributi i grave shqiptare?

Flora Masurica Durmishi: Vlerësimi i kontributit të grave është një cilësi shoqërore që po përparon por shumë ngadalë. Sidoqoftë, janë sërish këto gra me ndikim në kulturën tonë që i rikujtojnë shoqërisë që këmbëngulja në realizimin e vetvetes është formula drejt suksesit. Ato besuan në potencialin e tyre, dhe kjo këmbëngulje domosdoshmërisht do edukojë dhe imponojë edhe respektin e të tjerëve ndër gjenerata. Gratë që formësuan kulturën shqiptare janë dëshmi e kësaj.

Cili do të ishte mesazhi juaj për vajzat/gratë shqiptare?

Flora Masurica Durmishi: Është e rëndësishme që vajzat dhe gratë ta kuptojnë që në moshë të hershme prirjen dhe potencialin e tyre dhe ta realizojnë atë në vazhdimësi, duke qenë të vetëdijshme për pengesat apo ulje-ngritjet e jetës sepse edhe ato janë pjesë e rrugës drejt destinacionit të synuar. Gratë kanë qenë gjithmonë në frontin e parë të zhvillimit më të lartë shoqëror, por vetëm tani po pranohet një fakt i tillë. Tani më shumë se kurrë duhet vlerësuar kontributi dhe roli i tyre dhe jo vetëm në shoqërinë tonë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull