Ikja etrurit apo “brain rot” si hall i kesaj shoqerie?!

3 Minuta Lexim

Nga Capajev Gjokutaj-

Universiteti i Oksfordit shpalli si fjalë të vitit 2024 togfjalshin ‘brain rot’ që, përkthyer shpejt e shpejt, në shqipe do thuhej ‘kalbje , dekompozim, prishje e trurit’. Me këtë term të përdorur gjerësisht gjatë vitit 2024 nënkuptohet përkeqësimi i gjendjes mendore ose intelektuale si pasojë e konsumimit me tepri të informacionit të lehtë, kryesisht online, që s’ka ndonjë rëndësi dhe që nuk e vë trurin në punë. Dhe një tru që nuk para punon dembeloset, humbet mprehtësinë, topitet e zë ndryshk.
Është paradoks i kohës sonë: ndeshim informacion të shumtë, si kurrë më parë po trurin s’para e vemë në punë. Ndodh kështu ngaqë ky lloj informacioni nuk do shumë mend të kuptohet e të përvetësohet. Dhe ashtu gjysëm i papunë truri nuk punon po vegjeton.
Në fakt, me daljen e sistemeve të mëdha gjuhësore si Chat GPT, rreziku i topitjes së trurit bëhet edhe më kërcënues. Mjafton të shkruash një kërkesë të thjeshtë shoqëruar nga një klikim dhe kompjuteri të vë në dispozicion informacionin që të duhet të strukturuar si ese, artikull, njoftim, mesazh, diskutim etj. etj.
Parë kështu trurit dhe mendimit tonë po i kanoset rrezik shumë më i madh se deri tani, përmbjtja e gatshme a gjysëm e gatshme e dembelos dhe, si të gjitha instrumentat edhe truri, kur përdoret nën kapacitet, rrezikon të topitet, kurse mendimi e arsyetimi të zenë pezhishkë.
Krahas kësaj perspektive të zymtë ekziston edhe diçka që, sado tëthorazi jep një farë shprese. Termi ‘brain rot’ në anglisht është përdorur për herë të parë 170 vjet të shkuara nga Henry David Thoreau që kritikonte tendencën për të lënë mënjanë idetë komplekse në favor të atyre të thjeshta, dhe e shihte këtë si tregues të një rënie të përgjithshme mendore dhe intelektuale.
Optimisti mund të thotë: ka gati dy shekuj që parathuhet kalbja e trurit, po mendimi njerëzor, shkenca, teknika, filozofia, arti dhe të tjera veprimtari intelektuale kanë bërë përpara, pa pyetur për rreziqe e kërcënime. Kurse pesimisti mund të vërë kujen, të qajë e të çirret se për inteligjencën njerëzore po vjen dita e kjametit.
E vërteta mbase është diku në mes, ndaj sa herë harrohemi pas ekranit të vogël dhe atij të madh, sa herë përtypim e ripërtypim muhabete fejsbuku, video tiktoku dhe serialë ‘tralala zura një galë’, duhet të mendojmë dhe për babain e mendimit, dmth për të gjorin tru

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull