NJË FYTYRË PËR T’U PUTHUR

3 Minuta Lexim

Nga Pellumb Kulla-

Nga gazi i Fundviteve
U ndodhi një aksident i tmerrshëm! Ndërsa burri mbante timonin, gruaja shfajësohej, se nuk ishte ajo përgjegjsja për urrejtjet reciproke nuse-vjehrrë që pillnin sherre të vazhdueshme në shtëpi. Burri mbante anën e nënës së tij…
U trash dialogu, burrit i shpëtoi timoni dhe aksidenti bëri hatanë.
Vetura mori flakë. Gruaja shpëtoi paq. I shoqi e pësoi keq me një krah të thyer e dëme plot. Por dëmin më të madh ai e pati në fytyrë, e cila pësoi djegje gati të pariparueshme.
Ishte nevoja e një ndërhyrje kozmetike kirurgjikale por lëkura e tij nga djegjet ishte katandisur mos më keq! E shoqja iu ofrua t’i jepte lëkurë nga lëkura e saj, por edhe tek ajo nuk gjendej asnjë sipërfaqe e shëndetshme për të mbuluar fytyrën e bashkëshortit.
I vetmi vënd i mundshëm, nga ku mund të merrej lëkurë ishte prapa, poshtë belit në sipërfaqen e prapanicës së gruas. Gjëra që ndodhin dhe që nuk janë aspak për të qeshur.
E vendosën: lëkurën do ta merrnin nga mollaqet dhe nuk do t’ia rrëfenin këtë të fshehtë asnjë njeriu! Edhe doktori u betua që do t’ua ruante fshehtësinë.
Operacioni doli me një sukses të paparashikuar deri në atë shkallë: lëkura e marrë nga të pasmet e gruas i jepte fytyrës së burrit një freski të paparë edhe tani ai dukej më i ri edhe më pak i vrarë nga jeta.
Të gjithë e përgëzonin. E puthnin e përqafonin, por nuk morën dot vesh prej nga ishte marrë lëkura për fytyrën. Burri ishte aq i lumturuar sa një ditë, i mbushur emocionalisht, i tha së shoqes:
“E dashur, unë nuk arrij dot kurrë të të falenderoj sa duhet. Unë nuk dij se qysh të të kënaq, nuk dij se si të ta shpërblej!”
E shoqja vuri dorën instiktivisht në vithet e saj.
“Oh, i shtrenjti im, ” i tha, “ti nuk e din që unë, tashmë jam e shpërblyer. E din ti se sa lumturohem unë, kur jot ëmë, ajo vjehrra ime, sulet e të puth ty në të dyja faqet?! Kënaqem kur ajo nuk ngopet duke të puthur! O Zot! Fluturoj nga lumturia që ia arrita kësaj dite!”

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull