Nga Zija Çela-
Keto dite fb më kujtonte dy foto, duke më ftuar qe t’i ripostoja. Buzeqesha me vete dhe e mbajta dorën. Po t’i ripostoja më dukej se do te beja nje mëkat, ndonese sillnin njefare analogjie, per te cilen e kisha mizen nën kësulë. Fotot ishin bere dy vjet më parë në spitalin publik, kur bashke me time shoqe ishim shtruar me viroze te rende dhe na kishte trajtuar Dr. Najada. Per rastesi, nje dite para Krishtlindjeve atëherë ishim kthyer në shtëpi.
Natyrisht, sado që konfliktin me veten dhe konfliktin përballë miqve nuk e zgjidha, krijova përshtypjen se bëra mirë që e mbajta doren. Mos po e perkëdhelja sedren, duke u justifikuar me natyrën time duruese në raste te tilla? Sidoqoftë, edhe heshtja eshte pjesë e komunikimit, e qetësova disi veten.
Mirëpo ja çfarë nisi të më vërtitej në mendje. Pergjate jetes kisha kaluar katër nderhyrje kirurgjike, që gjithsesi s’janë pak. Megjithatë më pas ia behu operimi i pestë, ai në zemër. Me kirurgun Refatllari bera bajpase. Epo, murmurita, ma merr mendja se tash e mbrapa nuk do të kem më bisturi. Shkuan vite dhe erdhi i gjashti. Me kirurgun Beqiri hoqa temthin. Epo, arsyetova, qenka dashur edhe kjo ndërhyrje për t’i vënë kapakun operacioneve në trupin tim.
Mirëpo jo, rrodhi ca kohë dhe erdhi i shtati. Me Dr. Herionin hoqa një tumor. Po ku? Gjithnjë në spitalin publik. E kur? Sivjet, në qershor 2024. E mbajta dorën sërish dhe as fotografova, as njoftova në fb lexuesit e mi. Për shkak të biopsisë, nga shtatori e deri në mes të tetorit mbarova seancat e terapisë. Por prapë e kyça gojën, asnjë foto, asnjë njoftim. Përkundrazi, u pergjigjesha si levend komenteve tuaja, duke e tjetersuar të vertetën. Bija në siklet veçanërisht me ata që, si të ndjenin diçka vetvetiu, më shkruanin në privat duke më pyetur me këmbëngulje per shëndetin, virozat e gripin stinor, deri edhe per ndonjë semundje të papritur. Unë njëlloj, per t’ua kursyer shqetësimin, sajoja gënjeshtra të bukura.
Shkurt, ju kam mashtruar, miq, por ja ku po nxitoj ta shlyej mëkatin në afatin final të skadencës së kohës. Sepse tashmë jam në konflikt të trefishtë, me veten, me ju, por sidomos, sidomos me Zotin. E ky me Zotin është i papërballueshëm. Thonë se në fund të çdo viti, për hir të përtëritjes shpirtërore, Hyji ua fal njerëzve mëkatet. Por ekziston një kusht ama, moti i ri nuk duhet ta gjejë dikë duke përsëritur të njëjtin mëkat që sapo i eshte falur. Prandaj nuk mund t’ia lejoj vetes më tej të hyj në gjynah deri në fyt. Po e ndaloj menjëherë tjetersimin e së vërtetes, duke shpresuar se do të kem edhe faljen tuaj e mirekuptimin fort të dëshiruar të Zotit.
Eh, sa shumë, sa shumë mësova në këtë jetë, nganjeherë më duket sikur kam mësuar dhe me vdekë. Por, ju lutem, këtë merreni si letërsi, miqtë e mi, pasi e ndjej se është ende larg, madje goxha larg ajo “Permbaruesja” gjenerale e jetës. E ndiej vullnetin hyjnor dhe i jam bashkuar me gjithë vendosmerinë time për ta çuar përpara jetën. Me perjashtim të ditëve të shtrimit në pavijon, të diteve kur shkoja në spital per terapinë, si dhe ndonje kufizimi te arsyeshëm, une kam vazhduar të bëj jetën që kam bërë, ate te familjarit, atë te shkrimtarit, ecjen e perditeshme në taracë dhe ndonje kafe poshte pallatit në Adoro Bar, pa e ndërprere as perkohesisht komunikimin me ju.
Pa merak, pa asnjë merak per mikun tuaj Zija Çela, i cili ka hapur krahët për t’ju përqafuar dhe për t’ju dhënë urimin: Gezuar Vitin e Ri, paçi shëndet të mirë, zemër të gëzuar e mbarësi!
(Fotot: Portret nga Buron Kaceli, vaj. Portret nga Saimir Strati, mozaik.)