Perzierja e Elon Musk ne fushaten Gjermane

2 Minuta Lexim

Nga Bahri Cani

Përzierja e Elon Musk në fushatën elektorale në Gjermani është pritur shumë keq nga të gjitha partitë tjera, përveç AfD-së, të cilën e ka mbështetur ai. Musk tha se “vetëm AfD mund të shpëtojë Gjermaninë”, që është një përzierje e drejtpërdrejtë në fushatën elektorale, kur dihet fuqia e tij ekonomike por edhe posti i ri në administratën e Trumpit. A do të thotë kjo se edhe Trumpi mendon si Musk? Apo Musk ka vepruar thjesht kokë më vete? Një pyetje shumë me rëndësi kur dihet partneriteti shumë i ngushtë mes SHBA dhe Gjermanisë. Musk është njeriu më i pasur në botë, është njeriu që ka ndihmuar shumë Trumpin në zgjedhje dhe është një person me influencë mbarëbotërore. Por sa e lejueshme është përzierja e tij në zgjedhjet e një vendi tjetër demokratik? Elon Musk edhe më parë i ka lejuar vetes deklarata shumë brutale, të pamatura, duke e quajtur kancelarin Scholz “budalla”. Ne mund të kemi mendime të ndryshme për politikën e Scholzit, por ta quash një kancelar të një shteti kaq të madh kështu, me siguri që nuk është në rregull. Në Gjermani është gati e sigurt se do të ketë një qeveri pa AfD, pavarësisht mbështetjes së Elon Musk, sepse asnjë parti në Gjermani nuk do të bashkëpunojë me AfD. Por a do të ndikojë kjo mbështetje edhe më shumë në raportet me SHBA-në, të cilat edhe ashtu nuk do të jenë të lehta pas ardhjes së Trumpit në pushtet? Musk mund të mendojë privatisht çfarë të dojë, por deklaratat e tilla, për një vend kaq të madh dhe kaq me influencë në botë, për një vend që ka raporte kaq të mira me Amerikën, nuk janë në rregull. Mendoj unë!

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull