Planet e administratës Trump mbi emigracionin

4 Minuta Lexim

Emigracioni ishte një nga çështjet kryesore të fushatës elektorale të Presidentit të zgjedhur Donald Trump. Administra e tij po planifikon zbatimin e masave më të rrepta në kufirin e vendit me Meksikën. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Aline Barros i hedh një vështrim politikave të zotit Trump dhe nënkuptimit të mundshëm të tyre.

Gjatë fushatës elektorale, Presidenti i zgjedhur Donald Trump premtoi masa të rrepta kufitare, duke përfshirë ndalime dhe dëbime të mëdha të emigrantëve pa dokumente.

“Do të kemi deportimin më të madh në historinë amerikane. Nuk kemi zgjidhje tjetër, sepse kjo situatë nuk është e qëndrueshme për asnjë vend”, tha zoti Trump në një tubim elektoral më 2 prill.

Planet e mundshme të zotit Trump përfshijnë zgjerimin e hapësira të paraburgimit dhe rikthim të politikës “Qëndroni në Meksikë”, që u kërkon emigrantëve të qëndrojnë në këtë vend, ndërsa shqyrtohen kërkesat e tyre për azil në Shtetet e Bashkuara.

Tom Homan, i emëruar nga zoti Trump për të trajtuar çështjet e kufirit, thotë se masat më të ashpra do të përmirësojnë sigurinë publike dhe kombëtare.

“Në fund të krizës më të madhe të emigracionit të paligjshëm që kemi parë ndonjëherë në këtë komb, duhet të ketë një operacion masiv deportimi, tha zoti Homan.

Disa ekspertë mbi cështje të emigracioni thonë se dëbimet masive dobësojnë sigurinë publike, sepse shkurajojnë emigratët që të raportojnë krimet.

“Emigrantët kanë prirje më të lartë të raportimit të krimeve në polici, sesa të lindurit në Shtetet e Bashkuara. Por, studimet kanë treguar vazhdimisht se ashpërsimi i masave pa përjashtim në një zonë, redukton këtë shkallë të lartë të raportimit të krimit mes emigrantëve”, thotë David Bier nga Instituti Cato.

Nëse emigrantët nuk kanë një të shkuar kriminale, administratat në përgjithësi, qofshin demokrate apo republikane, i kanë liruar ata ndërsa presin shqyrtimin e çështjes për azil. Por kjo praktikë mund të përfundojë me administratën e re.

“Nëse do të isha me leje të përhershme qëndrimi në SHBS, pra nëse do kisha kartë jeshile, do të sigurohesha që këtë dokument ta mbaja gjithmonë me vete”, thotë avokati David Leopold.

Zyrtarët e administratës së re thonë se masat e rrepta do të ndalin kriminelët. Por, eksperti Bier thotë se kjo gjë nuk ndodhi gjatë mandatit të parë të zotit Trump.

“Dëbimi masiv nuk do të ketë përparësi ata që kanë kryer vepra të rënda penale. Administrata e kaluar Trump ndryshoi të gjitha rregullat, për t’u përqendruar tek ata me shkelje të rënda, pra kriminelët të parët, por si rezultat u dyfishua numri i të arrestuarve, duke përfshirë dhe ata që nuk kishin kryer krime, thotë ai.

Ndërkohë, shton zoti Bier, numri i kriminelëve që u përpoqën të kalojnë kufirin u trefishua.

Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka bërë të ditur se do të veprojë mbi këtë çështje, që në ditën e parë që do të marrë detyrën, më 20 janar.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull