Nga Ylli Pata
Ka një opnion permanent dhe insistues në debatin publik në lidhje me çështjen e rotacionit. Një opinion që konsiderohet si argument që në zgjedhjet e vitit 2017 e në vazhdim.
Ky opinion që na vjen në një kuzhinë e përnatshme panelesh dhe rrahjes së diskutimit në televizione, insiston në pyetjen, apo në çështjen që hidhet shpesh se “Shqipëria ka nevojë për ndryshim”.
Natyrisht që fjala “ndryshim” tek ky argument ose tek ky opinion do të thotë ndryshim pushteti, pra të iki Edi Rama e të vijë Sali Berisha. Fatos Lubonja, është realisht personi që ka çimentuar edhe filozofinë dominuese që hallakatet si pa teklif në publik.
Lubonja thotë me fjalë të thjeshta: janë tre banda, Rama, Berisha dhe Meta. T’i ndryshojmë bandat, siç familjet siçiliane ndryshonin kapon e Cosa Nostra-s. Lubonja, në këtë narracion tenton të rrekë logjikën e ekuilibrit që vjen thjesht nga “ndryshimi i dorës”. Domethonë ikën corleonezët vijnë catanezët, ikin palermitanët vijnë grupi i zjarrit që Enveri i çoi matan detit se i pa që ishin të paparë.
Sado narracion interesant mund të jetë, politikisht flasin faktet, sepse Shqipëria, falë Zotit, ka që në 31 mars 1991 që voton. Dhe vota është themeli i një demokracie, sado që karabinaja nuk ka marrë mirë. Vota është votë. Sot në bazë të votës dhe perceptimit, Shqipëria është një vend Perëndimor në plot kuptimin e fjalës, pa asnjë ekzagjerim. Keq apo mirë, njerëzit që vijnë në krye i zgjedhin shqiptarët. Të cilët në votë janë ende më të angazhuar se mjaft popuj në botë, duke filluar nga amerikanët.
Po t’i lëmë teoritë e hyjmë në thelb. Shkurt e shkoqur; këta që flasin për rrotacion mendojnë që në pushtet të vijë ose Sali Berisha, ose rrethi i tij.
Kjo është kryeçështja! Sali Berisha është politikani i vetëm në Shqipëri që i ka pjellë gjeli dhe e ka dhunuar fatin e tij në një mënyrë që ka ngjallur dilemën: Doktori, bën apo është vetë? Domethënë, ja ka thënë kush që të shkatërrojë këtë vend, apo e ka si ves?
Berisha ka ardhur dy herë në pushtet; në 22 mars 1992 dhe më 2 korrik 2005 si një rotacion aksidental. Edhe pse në të dy rastet ja ka bërë hizmetin për të ndodhur. Por në fund, thelbi i rrotacionit ka qenë si një aksident i pastër politik. Në 1992, Berishën e votuan sepse ishte ana tjetër e regjimit. Në vitin 2005, Sali Berisha nuk fitoi zgjedhjet në shumicë absolute, por gjithsesi u votua për tu ricikluar, si një lloj ndjenjë faji i asaj pjese të elektoratit gri që e kishte çuar për lesh në vitin 1997.
E vetmja herë që Sali Berisha erdhi në pushtet politikisht ishte 2009-a. Kur udhëhoqi një koalicion që arriti të dalë i pari në zgjedhje, e më pas bëri aleancë politike me Ilir Metën.
Ishte rasti i artë jo thjesht për Berishën, po PD-në dhe të djathtën, pasi kishin rreth vetes atë që analistët e paneleve e quanin “Shumica e heshtur”. Pra, edhe pas Gërdecit pati një lloj amnistie nga ana e elektoratit gri. i cili në 2013 i dha duart Sali Berishës dhe nuk ka asnjë arsye për ta kthyer. Shikohet qartë në çdo sondazh por edhe votim, se ajo që quhet qendra politike, kërkon rotacionin në PD përpara rotacionit real. Nuk ka ndërmend më t’i japë Berishës shansin që të vijë qyl në pushtet.
Shkodra, Kukësi, Tropoja në zgjedhjet vendore ishin një mesazh politik, që kush i njeh politikisht ato territore e kupton përse ka ndodhur. A kush do të zëvendësojë Berishën në atë që Rama e quajti sot lufta për vendin e dytë? Ky është realisht proces, që kërkon jo thjesht kohën e vet por edhe njerëzit e duhur për të bërë diferencën.