Tirana lidh Evropën si kurrë më parë- Biletat e lira nga kompanitë ajrore po nxisin rritjen e fluturimeve

2 Minuta Lexim

Itali, Gjermani, Austri e deri në vendet nordike – këto janë disa nga destinacionet kryesore të udhëtarëve nga Tirana gjatë muajit nëntor. Sipas të dhënave nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, numri i fluturimeve drejt këtyre vendeve është rritur me rreth 50% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Një rritje e dukshme është vënë re në destinacionet italiane, të cilat vazhdojnë të mbizotërojnë për nga popullariteti. Kjo lidhet si me shtetasit italianë, të cilët vizitojnë Shqipërinë jo vetëm për pushime, por edhe për turizmin dentar dhe estetik, ashtu edhe me shqiptarët që zgjedhin Italinë si një vend ideal për të kaluar disa ditë relaksuese.

Ndër qytetet e tjera që kanë përjetuar rritje të ndjeshme, spikat Vjena. Numri i fluturimeve mes Tiranës dhe kryeqytetit austriak është dyfishuar gjatë nëntorit, duke reflektuar një interes në rritje për këtë destinacion.

Por shifra më e lartë vjen nga linja Tirana-Stuttgart. Rritja e numrit të fluturimeve midis këtyre dy qyteteve ka arritur një rekord prej 2300%, një shifër që përkthehet në një 23-fishim krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Këto rritje janë nxitur kryesisht nga kompanitë ajrore low-cost, të cilat kanë zgjeruar kapacitetet e tyre në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit. Gjatë muajit nëntor, numri i fluturimeve të këtyre kompanive është rritur mesatarisht me 43%, duke sjellë një rritje të dukshme në aksesin dhe frekuencën e udhëtimeve.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull