Agu i “Age of machines”

7 Minuta Lexim
Nga Sebastian Zonja-
Një ndër mediet serioze amerikane për financat “Bloomberg” shkroi ditën e hënë se bursa amerikane pati një tronditje prej 1.2 trilion dollarësh. Arsyeja është se pak javë më parë kinezët arritën të prodhonin modelin e tyre të “ChatGPT”-së. “DeepSeek” është modeli që ata hodhën në treg.
Kompania që e ka krijuar është ndër më të mirat në Kinë. Ajo ka mbledhur matematicienët më të mirë dhe informaticienët olimpiadistë. Analistët amerikanë bien dakord se kostoja me të cilën kinezët thonë se e kanë zhvilluar (rreth 10 fish më lirë se modelet amerikane) është e rreme. Dihet botërisht se kinezët subvencionojnë çdo sektor strategjik. Kjo nuk ndodh në vendet me kapitalizëm të zhvilluar.
Ndërkohë, duke e marrë të mirëqenë se kinezët kanë mashtruar për kostot, diçka të cilën e bëjnë shpesh, ajo që ka mahnitur gjithë shkencëtarët e fushës është mënyra se si ato kanë trajnuar modelin. Ky është çelësi që ka çuar tek problemet me kompanitë e fuqishme amerikane. Teknikisht, sipas shumë ekspertëve, ishte e pamundur që ky model (LLM Large Language Model) të zhvillohej në Kinë sepse SHBA-të kishin vënë sanksione për çipat. Megjithatë, kinezët arritën ta zhvillojnë modelin me çipa më pak të avancuar se ç’përdorin kompanitë e mëdha amerikane.
Aktualisht, për shumë amerikanë dhe investitorë shtrohet pyetja – pse kërkohen kaq miliarda dollarë nga kompanitë amerikane për të zhvilluar teknologji të Inteligjencës Artificiale kur kinezët e bëjnë me shumë më pak shpenzime?
Kjo pyetje do të vërë në vështirësi shumë kompani amerikane në të ardhmen, ndërsa gara sapo ka filluar.
Industria e gjysmëpërçuesve ka rol vendimtar në formësimin e botës moderne dhe ndikim të madh për të ardhmen e krejt njerëzimit. Gjysmëpërçuesit, që në gjuhën e thjeshtë i quajmë “çipe,” janë elementet themelore të teknologjisë moderne, që nga telefonat inteligjentë dhe kompjuterët deri te sistemet e avancuara ushtarake dhe Inteligjenca Artificiale. Kjo fushë përfshin inovacionin teknologjik, konkurrencën e superfuqive dhe tensionet gjeopolitike. Gara për epërsi teknologjike në industrinë e gjysmëpërçuesve po ndikon ekonominë globale, sigurinë kombëtare dhe përparimin teknologjik të superfuqive.
Perëndimi ka qenë në krye të garës që me shpikjen e transistorit në fund të viteve ‘40 dhe zhvillimin e qarkut të integruar në vitet ‘50 dhe ‘60. Këto arritje të rëndësishme hodhën themelet për epokën moderne digjitale, duke mundësuar krijimin e pajisjeve elektronike gjithnjë e më të fuqishme. Kompanitë amerikane si “Fairchild Semiconductor”, “Intel” dhe “Texas Instruments” janë pionerët e dizajnit dhe prodhimit të çipeve.
Ndërsa inovacioni u përhap nëpër vende të tjera si Japonia, Koreja e Jugut dhe Tajvani, gjiganti aziatik, Kina, hyri në lojë. Sot, kompania tajvaneze e prodhimit të gjysmëpërçuesve (TSMC) dhe “Samsung Electronics” janë bërë forca dominuese për prodhimin e çipeve. Në garën e ethshme mes SHBA-së dhe Kinës, gjysmëpërçuesit nuk janë veç gurthemeli i fuqisë ekonomike, por edhe një komponent kritik për çështje të sigurisë kombëtare. Aftësia për të dizajnuar dhe prodhuar çipe të avancuar është thelbësore për ruajtjen e epërsisë ushtarake, rritjen ekonomike dhe nxitjen e inovacionit në teknologji.
Shteteve të Bashkuara dhe Kina investojnë shumë për zhvillimin e kapaciteteve të tyre për prodhimin e gjysmëpërçuesve. SHBA mbetet lider në dizajnin e çipeve, me kompani si “Intel”, “Nvidia” dhe “Qualcomm”. Megjithatë, Kina po e arrin me shpejtësi, duke hedhur miliarda dollarë për industrinë e saj, me fokus reduktimin e varësisë nga teknologjitë e huaja. Kjo garë e ethshme është kthyer nëë fushëbetejën kryesore.
Kompanitë e fuqishme ndërkombëtare po përpiqen të zhvillojnë çipe me fuqi më të madhe përpunimi dhe efikasitet energjetik. Zhvillimi i Inteligjencës Artificiale (AI) po nxisit kërkesën për çipe të specializuara të optimizuara për ngarkesat e mëdha që ka trajnimi i modeleve të Inteligjencës Artificiale. Me modelin e ri “DeepSeek” kinezët arritën të ndërtojnë modele shumë të sofistikuara me pak shpenzime. Ndëkrohë që kompani si “Nvidia” dhe “Google” janë në krye të zhvillimit të këtyre çipeve për përdorim nga IA-ja, kinezët kanë filluar prodhim masiv që po përdoren për automjetet e tyre elektrike, robotikën dhe teknologjitë e tjera në zhvillim, siç është modeli i ri i automjeteve autonome “Tesla”, të sipërmarrësit Elon Mask.
SHBA-të me anë të tarifave për eksportin e çipeve në Kinë po mundohen të fitojnë avantazh konkurrues ndaj gjigantit kinez. Por këto masa mund të çojnë drejt fragmentimit të zinxhirit global të furnizimit, duke e bërë më të vështirë për kompanitë e mëdha qasjen tek materialet, pajisjet dhe ekspertiza e nevojshme për të prodhuar çipe të avancuara. Kjo është pika që mund të aludojmë mbi kërkesat amerikane për të marrë Groenlandën, por kjo temë i përket një artikulli tjetër për garën për metalet e rralla.
Përgjatë këtyre viteve do vërejmë një garë të ethshme të superfuqive për epërsi në fushën e gjysmëpërçuesve. Vendet dhe kompanitë e mëdha shumëkombëshe do investojnë shumë në inovacion, kapacitete prodhimi dhe fuqi punëtore.
Me siguri do shohim se si do të zhvillohet Inteligjenca Artificiale duke zhdukur shumë profesione, bioteknologjia dhe energjia e rinovueshme. Industri të shumëta do përmirësohen, ndërsa disa do zhduken. Në perspektivë, cilësia e jetës do përmirësohet. Por, në të njëjtën kohë, tensionet gjeopolitike do shtohen. Fuqitë e mëdha do fillojnë të krijojnë linjat e tyre të furnizmit, do tentojnë të krijojnë autonomi dhe zinxhiret globalë të furnizmit do kenë probleme. Kriza e kësaj jave në SHBA, ku bursa pati një humbje prej 1.2 trilionë dollarësh, do bëhet më e shpeshtë. Ndërsa gara për dominimin në prodhimin e gjysmëpërçuesve vazhdon, vendimet që do të marrë Brukseli, Pekini dhe Uashingtoni, kompanitë e mëdha ndërkombëtare dhe individët e spikatur të fushës do kenë ndikim të thellë për të ardhmen e teknologjisë dhe shoqërisë njerëzore.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull