Juristi Romeo Kara ka komentuar hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) ndaj ish-deputetit dhe ish-kandidatit për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi.
Sipas tij, fakti që Këlliçi u thirr në SPAK, flet për një komplikim të situatës, pasi nëse do të kishte rezultuar çdo gjë korrekte që në fillim lidhur me diplomën e tij, ai nuk do të ishte thirrur për t’u pyetur. Madje zoti Kara paralajmëron se nëse Këlliçi del fajtor rrezikon deri në 5 vite burg.
Ndërkohë ai shprehet në një intervistë për gazetën “SOT” se gjendja për ish-presidentin Ilir Meta është më e rëndë, pasi minimumi rrezikon 15 vite.
-Zoti Kara, ish-deputeti i PD, Belind Këlliçi, është kallëzuar në SPAK nga avokati Idajet Beqiri. Si e shihni këtë zhvillim dhe a mendoni se SPAK ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar akuzat për falsifikimin e diplomës dhe deklarimin e rremë nga ana e Z. Këlliçi, siç pretendon avokati Beqiri?
Mendoj se vërtetësia ose jo e pretendimeve të avokatit Beqiri, për sa më sipër, mund të provohet në një kohë të shkurtër, pasi ka të bëjë vetëm me një verifikim dhe investigim mbi një institucion arsimor në Shqipëri. Edhe vetë media mund ta realizojë një investigim të kësaj natyre, pra vërtetësinë apo qëndrueshmërinë e rregullt të një diplome. Fakti që Këlliçi u thirr në SPAK, flet për një komplikim të situatës, pasi nëse do të kishte rezultuar çdo gjë korrekte që në fillim lidhur me diplomën e tij, ai nuk do të ishte thirrur për t’u pyetur. Sidoqoftë, le të presim të rejat në vijim nga organi i akuzës.
– Në lidhje me financimin e fushatës së tij elektorale, a mendoni se mosdeklarimi i donacioneve dhe akuzat për fshehje pasurie mund të kenë ndikim të madh në imazhin e tij politik?
Patjetër që po dhe jo vetëm të tij, por të gjithë atyre rreth dhe pas tij. Nëse do të rezultojnë të vërteta ato që thuhen, atëherë publiku do të prezantohet me thelbin e hipokrizisë shqiptare, ku në qendër është lufta brenda llojit.
– Fotoja me Trump është një tjetër çështje që ka ngritur diskutime. A mendoni se këto shpenzime të larta të pajustifikuara janë një tregues i keqmenaxhimit ose korrupsionit?
Çdo shpenzim i pajustifikuar është tregues i korrupsionit, por ajo që e shton dozën reaguese lidhur me to, është kur këto shpenzime të pajustifikueshme bëhen nën moton e luftës kundër korrupsionit. Shqiptarët nuk meritojnë të gënjehen apo të tallën me një foto apo t’u thuhet pa t’u dridhur syri se, në pak sekonda komunikimi me Trumpin bënë disa orë muhabet.
Analizoni intervistën e zotërisë kur pyetet për kohën dhe temat të cilat i përmendi me Trumpin. Ka diskutuar mbi pesë tema brenda 90 sekondash, edhe pse mendoj se 90 sekondat i ka parë me dylbi. Sidoqoftë, duhen neveritur praktikat e derimëtanishme të servirjeve të fotove nga SHBA si merita, certifikime apo medalje nga SHBA.
– Sa vite burg rrezikon Këlliçi sipas jush?
Nëse do të provohet gjyqësisht vërtetësia e pretendimeve në kallëzim, mendoj se rrezikohet 4-5 vite burgim.
– Si e shikoni situatën e fundit ku ish-presidenti Ilir Meta ka dhënë shpjegime për lobimin në SHBA? A mendoni se kjo çështje është një sinjal për transparencë më të madhe në jetën politike shqiptare apo një ndjekje me motive politike?
E cekëm edhe më lart. Teatri i pështirë me makijazhe amerikane të paguara sa frengu pulën mbi llumin shqiptar, duhet të marrë fund. Të vjedhësh ditën për diell në Shqipëri dhe të thuash që jam burrë i mirë se bëj foto në SHBA, kjo është minimumi cinizëm. Nëse realisht mendojnë që jemi kaq popull i marrë, atëherë pushtetin ta marrë ai apo ajo që votohet për foton më të bukur në SHBA.
– Duke pasur parasysh akuzat dhe zhvillimet e deritanishme, sa serioze mendoni se janë pasojat për z. Meta? Çfarë dënimi mund të rrezikojë nëse akuzat vërtetohen?
Po ju përgjigjem shumë shkurt, minimumi 15 vite burgim.