Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi shprehu bindjen se kryeministri Edi Rama mundet edhe me mjete politike. Shehi vuri në dukje në emisionin “Zonë e Lirë” se lidershipi i PD-së ka gabuar në mënyrë absolute përgjatë viteve.
“Rama mundet me mjete politike. Në një demokraci, do gjykoja që mjeti i vetëm dhe më i mirë janë mjetet politike. Mjete politike do të thotë, fillojmë që nga ligji për zgjedhjet, që nga aleancat politike, projekti politik, lidershipi dhe opinion politik.
Mirëpo ne s’i kemi përdorur, ose i kemi shpërdoruar mjetet politike. Një mjet ekstra është protesta, por do ta frymëzosh ti protestën! Por nëse protesta është një grusht njerëz që janë tifozë personalë, mbaron s’ka më popull.
Gjykoj që lidershipi politik i PD-së ka gabuar në mënyrë absolute dhe prandaj jemi këtu. Reforma administrative është një gabim trashanik. Në 2017-ën po PD refuzoi një propozim të të djathtës europiane që e detyronte Ramën të shtynte me dy muaj zgjedhjet, të ndryshonte ligjin.
Përfunduam te marrëveshja e dështuar dhe te më pak vota. Më e rëndë akoma ishte një këmbë brenda dhe një jashtë reformës në drejtësi, që u krijua ideja që më frikë e kanë këta në opozitë reformën në drejtësi.
U krijua dyshimi që këta janë hallexhinj, kur hallin duhet ta kishin ata që kishin qeverisur 4 vjet. 2019 dalim nga Parlamenti, dalim nga zgjedhjet, një gjest që s’ishte bërë ndonjëherë në politikën shqiptare”, tha Shehi.