Dhëndri i Trump shpallet investitor strategjik në Shqipëri

2 Minuta Lexim

Raportohet se kompania e Jared Kushner, dhëndrit të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, ka marrë statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një resori në Shqipëri.

Vendimi për investimin në Ishullin e Sazanit, që i përket Qarkut të Vlorës është marrë nga Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS) nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama më 30 dhjetor 2024, ku thuhet se është pranuar propozimi nga kompania dhe është vendosur t’i jep asaj status të investitorit strategjik me procedurë të veçantë.

Gjithashtu theksohet se sipas vendimit të KIS mbi projektin e investimit “Resori Turistik – Ishulli i Sazanit”, në ishull parashikohet një investim prej 1.4 miliardë eurosh dhe ndërtimi parashikohet të shtrihet në 8 për qind të ishullit, ose 45 hektarë.

“Vlera e investimit të projektit turistik ‘Resori Turistik – Ishulli i Sazanit’ i plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike. Projekti i investimit i plotëson kriteret e punësimit të kërkuara nga legjislacioni për investimet strategjike. Përgjatë fazës së realizimit të investimit dhe operimit, numri i personave të punësuar parashikohet të jetë 1.000”, thuhet në vendim.

Gjithashtu theksohet se projekti i investimit propozohet si një projekt i integruar me marinë turistike si dhe struktura të akomodimit elitar, rezidenca me standard të lartë, zona gastronomike, zonat e rekreacionit me shërbime në funksion të tyre.

Më tej thuhet se forma e pjesëmarrjes së shtetit në këtë investim do të realizohet nëpërmjet krijimit të një entiteti juridik. Sipas vendimit, ky status jepet për një periudhë 10-vjeçare dhe se ndërtimi parashikohet të jetë i ndarë në tri faza, transmeton Anadolu.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull