‘Do ta marr hakun’ – A ishte premtimi pranë varrit të xhaxhait motivi që i mori jetën Kristian Markut në Vlorë?

7 Minuta Lexim

Detaje të reja nga saga e hakmarrjes mes dy fiseve Bardhi e Reçi në Rrëshen të Mirditës duket se po merr ende jete edhe pas ‘luftës’ prej afro 29 vitesh.

I riu Kristian Marku, alias Kristi Bardhi, u ekzekutua mbrëmjen e 14 janarit teksa udhëtonte me makinë në drejtim te Vlorës.

Pista kryesore e hetimeve është përqendruar tek hakmarrja mes këtyre dy fiseve, ndërsa policia ka bastisur banesën e familjarëve të Kastriot Reçit në Rrëshen.

Burimet thonë se Kristian Marku  në varrimin e xhaxhait të tij Martin Bardhit (Marku) që u ekzekutua në lokalin e tij që ndodhet në hyrje të spitalit të Rrëshenit, kishte premtuar para familjarëve të tij: Se do ta merrte hakun.

Kujtojmë se 4 anëtarë të fisit Reçi, mes tyre Saimir e Martin Reçi, janë shoqëruar dhe marrë në pyetje në polici, por ata kanë mohuar të kenë lidhje me vrasjen e 30-vjeçarit.

Saimir Reçi u shpëtoi plumbave që Kristian Marku lëshoi drejt tij në një atentat në 2023.

I riu u ekzekutua në aksin Fier-Vlorë pasditen e 14 janarit 2025, ndërsa autorët që dyshohet se kanë qenë 3, të cilët sipas burimeve, i kanë zënë pritë në mbikalimin e Novoselës.

Autorët e kanë ndjekur me makinë dhe më pas e qëlluan më shumë se 13 herë me armë pistoletë ose automatik të vogël tip Shars.

I riu mori 3 plumba në trup dhe makina që udhëtonte, pas atentatit është përplasur disa herë me trafikndarësin, deri sa ka ndaluar.

Autorët dogjën mjetin tip ‘Golf’ rreth 1 km  larg vendit të ngjarjes dhe më pas dyshohet se janë larguar drejt Fierit.

Mjeti i autorëve ka qenë me targa të vjedhura, ndërsa brenda tij nuk është gjetur arma e krimit.

Policia ka marrë kamerat e sigurisë të një karburanti aty pranë, si dhe përgjatë autostradës Fier-Vlorë. Po ashtu, është ushtruar kontroll në çdo makinë që hynte në Vlorë, por edhe në fshatrat Novoselë dhe Panaja.

Marku tentoi të ekzekutojë nipin e Kastriot Reçit

E kaluara kriminale e të riut Marku dhe hasmëria në vendlindje e ka çuar grupin hetimor drejt pistës së vrasjes për hakmarrje.

I riu është nipi i Martin Bardhit, i vrarë më 26 shtator 2023, edhe ky dyshohet viktimë e sagës së hakmarrjes mes dy fiseve.

Po në vitin 2023, Kristian Marku është skeduar nga policia si i dyshuar për një tentativë për të ekzekutuar nipin e Kastriot Reçit, Saimir Reçin në 26 marsin e dy viteve më parë.

Asokohe ndaj tij u ngritën dy vepra penale, “vrasje me dashje në bashkëpunim të mbetur në tentativë” dhe “mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe municionit luftarak”.

Por, policia nuk arriti të provonte përfshirja e tij në këtë ngjarje dhe arriti të fitojë lirinë. Saimir Reçi është nipi i Kastriot Reçit i vrarë me snajper në qendër të Rrëshenit në janar të vitit 2020.

6 muaj më pas, Kristian Markut i vrasin xhaxhanë në një atentat në Rrëshen.

Ai u ekzekutua më 26 shtator 2023, sapo doli nga burgu, në lokalin e tij.

Në tavolinë me të, u plagosën Indrit Bardhi, Ilir Bardhoku dhe Olti Gjini.

Zanafilla e konflikteve të tyre ka nisur pas prishjes së pazareve të drogës:

1- Viktima e parë e fisit Reçi është regjistruar në vitin 1995, ku u ekzekutua Ilir Reçi pranë shtëpisë së tij, dhe ekzekutorët dyshohet se ishin anëtarë të familjes Bardhi.

2- Një vit para se të vritej Ilir Reçi, Dod Gjini në qendër të qytetit vrau shefin e krimeve, Ndue Kaza, pasi kishte ndërhyrë për të shuar konfliktet mes fiseve.

3- Në vitin 1997, në qendër të Laçit u vranë dy vëllezërit, Dod dhe Agustin Gjini, nga një anëtar i familjes Kaza.

4- Pak kohë më vonë, edhe vëllai tjetër, Nikolin Gjini, u ekzekutua me snajper brenda burgut të Shënkollit.

5- Pas disa viteve qetësie të brishtë, saga e vrasjeve u rikthye sërish, duke kapërcyer edhe kufijt shqiptar.

6- Në vitin 2017, më 28 prill, Gasper Reçi, vëllai i Kastriot Reçit, u ekzekutua në shtëpinë e tij në Romë, dhe dyshohej se merrej me trafik droge.

7- Në po të njëjtin vit, 5 muaj më pas, në Belgjikë vritet Kreshnik Gjini, nipi i Saimir Jakut, ky i fundit i ekzekutuar në vitin 2016 në Rrëshen.

8- Gjatë një atentati në Ishull-Lezhë në gusht të vitit 2018, Arben Gjini, djali i xhaxhait të Armando Gjinit, mbeti i plagosur rëndë.

9- Ndërsa një vit më pas, më 13 gusht të vitit 2019, Armando Gjini vritet para syve të dy fëmijëve të tij sapo kishte ndaluar makinën para Katedrales së qytetit.

10- Në vitin 2020, Kastriot Reçi u ekzekutua në qendër të Rrëshenit me snajper.

11- Nga Mirdita, hakmarrja u zhvendos në Tiranë, ku Preng Gjini në shtator të 2020 shpëtoi një atentat të mirëorganizuar me tritol tek ura e Selitës.

12- Tre muaj më pas, më 15 dhjetor, Anton Keli, kushëri i Armando Gjinit, ekzekutohet duke zbritur nga makina e tij.

13- Më 26 mars të vitit 2023, Enrik Bardhi qëlloi në drejtim të Sajmir Reçit për një parakalim, ndërsa ky i fundit i shpëtoi plumbave, pasi lëvizte me makinë të blinduar.

14- Në shtator të 2023, Martin Bardhi u qëllua teksa po pinte kafe në lokalin në pronësi të tij në Rrëshen.

15- Kristian Marku, nip i Martin Bardhit, është viktima e fundit deri më tani pas një kalvari të gjatë vrasjesh, që fatkeqësisht pritet të numërojë sërish viktima. (Voxnews.al)

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull