Feride Rushiti dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) janë nominuar për çmimin Nobel për Paqe 2025.
Në një njoftim të publikuar nga Rushiti, është bërë e ditur se nominimi është propozuar nga deputeti i Parlamentit të Suedisë, Magnus Jacobsson.
“Jam thellësisht e lumtur dhe e nderuar se unë dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) jemi nominuar për Çmimin Nobel për Paqe 2025. Ky vendim për nominim, i propozuar nga deputeti i Parlamentit Suedez, z. Magnus Jacobsson, më mbush me emocione të papërshkrueshme dhe mirënjohje të thellë”, ka shkruar drejtoresha e QKRMT-së në Facebook.
Ajo e ka quajtur arritje të madhe këtë nominim. Ka thënë se ajo dhe ekipi i saj frymëzohen nga nominimi për të avokuar globalisht për plagën e rëndë dhe për të kontribuar në parandalimin e dhunës seksuale në konflikte si dhe në arritjen e drejtësisë për të mbijetuarit.
“Si mjeke dhe aktiviste për të drejtat e njeriut, Dr. Rushiti ia ka kushtuar karrierën e saj adresimit të efekteve shkatërruese të torturës, dhunës seksuale dhe mizorive të tjera të kohës së luftës. Pas luftës së Kosovës (1998-1999), ajo themeloi Qendrën Kosovare të Rehabilitimit për Viktimat e Torturës (QKRMT), e para e këtij lloji në Kosovë. Nën udhëheqjen e saj vizionare, QKRMT ka ofruar mjekësi kritike, mbështetje psikologjike dhe ligjore për mijëra të mbijetuar, duke siguruar që zëri i tyre të dëgjohet dhe nevojat e tyre janë plotësuar”, thuhet në propozimin e deputetit suedez.
Nominimet për Nobel për Paqe mund të bëjë vetëm një grup i caktuar individësh dhe organizatash, që përfshijnë anëtarë të parlamenteve e qeverive të shteteve të caktuara, anëtarë gjykatash ndërkombëtare, rektorë e profesorë të universiteteve të caktuara, drejtuesi institucionesh të paqes, fitues të mëhershëm e anëtarë të Komitetit Norvegjez të Nobelit. Periudha e nominimeve mbyllet më 31 janar. Nominimet finale mbeten sekrete dhe s’bëhen publike për 50 vjet. Pas pranimit të nominimeve, Komiteti i Nobelit i rishikon të gjitha propozimet dhe përpilon listën e shkurtër. Fituesi shpallet me shumicë të qartë. Çmimi jepet në dhjetor.
Jacobsson e kishte nominuar për këtë çmim edhe presidentin amerikan Donald Trump për përpjekjet e tij për arritjen e paqes në Lindjen e Mesme më 2021.
Aktivistja e të dhunuarave të luftës
Në pranverën e vitit 1999, Feride Rushiti ishte njëra prej dhjetëra grave që po ndihmonin refugjatët në Kukës, sidomos fëmijët e gratë, për t’i tejkaluar traumat e dhunës. Por, edhe pas luftës, Rushiti nuk do t’i ndahej punës për t’ua lehtësuar dhimbjet viktimave të torturës. Veçmas atyre të dhunës seksuale
Aktiviteti vullnetar në luftë do t’ia ndryshonte planet profesionale studentes së re, në prag të diplomimit në mjekësi. Në pranverën e vitit 1999, Feride Rushiti ishte njëra prej dhjetëra grave që po ndihmonin refugjatët në Kukës, sidomos fëmijët e gratë, për t’i tejkaluar traumat e dhunës. Janë dëshmi e rrëfime që nuk i shkoqen nga mendja asnjëherë. Rushiti ndan njërin prej tyre.
“Më kujtohet një grua për të cilën UNICEF-i më thirri me i dhënë ndihmë për fëmijë dhe thoshin që është e traumatizuar, dhe është viktimë e dhunimit seksual. Ajo ishte vendosur në kampin italian në Kukës dhe rreth asaj tende qëndronin qindra gazetarë ndërkombëtarë”, ka treguar Rushiti në një intervistë të gjatë prej një orësh në emisionin “Desku” të KTV-së. “E takoj atë gruan dhe në formë telegrafike kishte dhënë intervista dhe fliste në vetën e dytë. Thoshte se i ka vdekur fëmija dhe nuk ka mund me varrosë, i ka mbetur rrugës. E pyeta se ku e ke burrin, ajo tha se edhe burrin ia kanë marrë rrugës, aty fillova edhe unë të qaj e pastaj e kemi përqafu njëra-tjetrën”, ka thënë ajo. Nuk i përmban dot lotët.
“Të dhunuarat po vdesin pa rrëfyer”
Rushiti ka thënë se atëherë nuk kishte mundësi të mbante shënime. Asnjëherë tjetër nuk u takua me viktimën, porse e torturuara nga forcat serbe ishte dërguar pastaj në njërin nga vendet e perëndimit për trajtim.
Por, edhe pas luftës, Rushiti nuk do t’i ndahej punës për t’ua lehtësuar dhimbjet viktimave të torturës. Veçmas atyre të dhunës seksuale.
Menjëherë pas kthimit nga Shqipëria, Rushiti hapi Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës, duke ofruar trajtime të specializuara për viktimat. Të mbijetuarat e të mbijetuarit e dhunës seksuale së pari kishin nevojë për një mjedis të sigurt, për t’i rrëfyer tmerret e tyre.
Në Kosovë llogaritet se rreth 20 mijë gra e burra u dhunuan seksualisht gjatë luftës së fundit. Të rralla kanë qenë rastet kur të dhunuarat janë përkrahur për të dëshmuar publikisht, si në rastin e Vasfije Krasniqit.
Vetëm në vitin 2014, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet e nevojshme ligjore, në mënyrë që të dhunuarave t’u njihej statusi i viktimës. Kështu iu mundësua të marrin pensionin ligjor.
“E kemi një Vasfije, Shyhreti më pastaj edhe një tjetër që s’është gjallë më në mesin tonë. Ndërsa të tjerat janë atje pa emër fare. Edhe në Komision mënyrën se qysh duhet të aplikojnë është si argument apo fakt kryesor, e kemi menduar është narrativi i përjetimit të luftës. Pse rrëfimi i luftës, sepse shumica nga ato/ata nuk posedojnë asnjë dokument”, ka thënë Rushiti.
Ajo ka bërë të ditur se formati i aplikimit është i ndarë në katër pjesë: të dhënat e përgjithshme, demografike, pastaj është rrëfimi i luftës, nëse kanë qenë pjesë e gjykatës apo ndonjë organizate, dhe në fund është një aneks ku thuhet që duhen dokumente shtesë. Ato mund të kenë dokumente shtesë, një certifikatë mjekësore, që ka qenë e trajtuar në raport me dhunën që i është ushtruar gjatë luftës, mund të ketë një raport nga psikologu, apo që mund të ketë edhe dëshmitarë.
Rushiti, drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ka thënë se ndryshe nga veteranët e luftës, të cilët e vendosin me krenari certifikatën në mur, viktimat e dhunës mundohen ta fshehin që të mos bjerë as në duar të familjarëve.
Rushiti ka shpjeguar nga ka rrjedhur shifra e afro 20 mijë të dhunuarve në Kosovë.
“Ky numër rrjedh nga organizatat ndërkombëtare, rrjedh nga CDC, është qendër e njohur tash në Atlanta që po merret me statistika të COVID-it. Atëkohë ka qenë i panjohur si mekanizëm ndërkombëtar. Është bërë një studim me grupet e dala në vendet fqinje, kryesisht të zhvendosur prej Kosovës. Edhe nuk ka qenë qëllimi me pa numrin e personave të dhunuar. Por, një nga pyetjet ka qenë a keni qenë dëshmitar apo të dhunuar gjatë luftës. Dhe aty ka rezultuar prej mostrës reprezentative rreth 1200-1300 për Kosovën, e dhënë statistikore, ka dalë përqindje 4.4. Pastaj kur shumëzohet me popullatën e përgjithshme shkon në 23 mijë, bile në deri 40 mijë mund të shkojë. Ne e kemi marrë 20 mijë, jemi lidhur me atë studim realisht, ka qenë studim i organizatave ndërkombëtare, nuk ka qenë i atyre lokale, e as i institucioneve të Kosovës, pasi ato realisht nuk janë marrë fare me këtë pjesën e dëshmive”, ka thënë Rushiti.
Rushiti tashmë është nderuar për angazhimin e saj të vazhdueshëm nga Departamenti Amerikan i Shtetit me Çmimin ndërkombëtar të grave të guximshme. Mirënjohja amerikane përkoi me kohën kur Qeveria e Kosovës filloi më në fund t’ua jepte pensionet viktimave të dhunës seksuale.
Në ditën kur e mori Çmimin, Rushitit iu kujtuan momentet kur dëgjonte dëshmitë e viktimave të dhunës së forcave serbe.
“Dhunimi në vetvete është si njëfarë lloj vullkani që është i pandezur, por në çdo moment mundet të pëlcasë dhe të dalë në sipërfaqe. Është një bombë e kurdisur te këto gra dhe te këta burra. Ka momente që përtej se
e kanë ndrydhë, ajo fillon të zhvillohet në forma të ndryshme, qoftë me çrregullime psikosomatike, që ato janë vazhdimisht pjesë e vizitave mjekësore dhe nuk arrijnë tek asnjë përfundim. Kanë çrregullime të shëndetit mendor, psikologjik, nuk funksionojnë mirë”, ka thënë Rushiti.