FORTLUMTURIA QË LUMTURINË E NDAU ME NE

3 Minuta Lexim

Nga Thoma Nika-

Me fjalën më të epërme të hierarkisë fetare, Arqipeshkopit Anastas i drejtoheshim duke i thënë Fortlumturi. Përtej xhamave të trashë të gjyslykëve, ai dëgjonte tërë urtësi tek çdo bashkëbisedues dhe kujtdo i jepte të besonte se Ai ishte një prej nesh, paçka se dukej hapur që përballë apo krah teje gjendej një Shenjtor i gjallë.
Erudit, poliglot e polivalent ekselent.
Them se Saranda ka qenë e privilegjuar ta shikonte e ta takonte nga afër disa herë Atë Njeri të Madh, që i bëri edhe një shërbim të madh ortodoksisë shqiptare.
Të paktën në dy raste, në 6 janarin e 2006 dhe 2013, Arqipeshkopi Anastas do ta bënte me frymën dhe me dorën e tij, Bekimin e Ujërave të Jonit.
1 korriku i vitit 2006 do të mbahet mend si dita e vendimmarrjes ndoshta më historike të nënshkruar prej Tij, pasi e bëri rajonin e Sarandës me Shkollën e Mesme të emërtuar “Frymë Dashurie”, në fshatin Mesopotam. Drejt saj vërshojnë sot autobusë me nxënës që “refuzojnë” gjimnazet e qyteteve Sarandë, Delvinë e Gjirokastër. Udhëtarët e atyre autobusave janë nxënës të motivuar për të mësuar dhe të mbushur me sigurinë se klasat e asaj shkolle i përgatisin si profesionistë për zanatet më të kërkuara nga tregu dhe nga qytetari.
Akordimi i titullit “Honoris Causa” nga Universiteti i Korfuzit, në 21 marsin e 2007, do të përbënte një vlerësim që Fortlumturia e mori në Kishën e famshme të Shën Spiridhonit, si udhëheqës shpirtëror i ortodoksisë dhe pishtar në rrugën e pprhapjes së saj. Por ky do të ishte një tjetër rast për t’u gjendur sërish edhe mes besimtarëve dhe njerëzve të Sarandës.
Ndjehem mirë që seniciotët e mi kishin publikuar sot në portalin e tyre “Senica Jonë”, tekstin e Letrës që i patën drejtuar Arqipeshkopit Anastas në gushtin e vitit 2008. Përmes saj shprehej mirënjohja e thellë që ribërja e çatisë së Kishës së Shën Dhimitrit, lidhej drejtpprdrejt me emrin e Hirësisë së Tij, Anastas. Ajo Mirënjohje e seniciotëve shkoi sot si Homazhi më i mirë për figurën e përndritur të Fortlumturisë Anastas.
Ndërsa në “Pashkën e Gushtit”, në Ditën e Shën Marisë, në 15 gushtin e 2010, do të shkonte vetë në Dhrovjanin e njohur ndryshe si fshat i kishave e i puseve. Zgjodhi një Ditë të bekuar, për të bekuar investimin për ujiin e pijshëm, me vlerë 400 mijë euro, gjysma e të cilave ishin donacion personal i Fortlumturisë së Tij.
Fortlumturia lumturinë e la mes nesh. Dhe vetë shkoi të flerë pranë Zotit.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull