Nga Aleksandër Çipa-
In memoriam per gazetarin Dalip Greca
Në shkurt të vitit 2001 unë ndodhesha në Prishtinë si gazetar i shpërngulur nga Tirana, për të qenë në një përvojë të re profesionale si drejtues i njërës prej gazetave ditore të Kosovës.
Isha vendosur në krye të redaksisë së tw pwrditshmes “Kosova sot”, e cila gjendej në një moment të rëndësishëm tranzicioni, si përsa i përket strukturimit ashtu edhe tregut të ndryshuar vendor.
Ishin muajt e parë të lirisë së Kosovës. Ishte një kohë e re për krejt hapësirën shqiptare dhe më së shumti, për katër e më tepër shoqëritë shqiptare që po linin shekullin e ndarjes dhe nisnin të riun e integrimit përbashkues.
Isha i pari kryeredaktor nga “Shqipëria londineze” që mbërrija në Kosovë. Ndërkohë që ndoshta i fundit që ishte kthyer nga Prishtina në Tiranë, (diku në vitin 1947-’49), Vasfi Baruti nga Berati. Kjo përvojë, e saponisur, më ndryshoi konceptin dhe dijen e cunguar për historinë e shtypit dhe të komunitetit të gazetarëve shqiptarë në tërësi. Ma shtoi dijen dhe njohjen për gati gjysmën e atdheut natyral, duke më ndriçuar krejt hapësirën gjeografike të historisë sonë kombëtare.
Ngjau me mua si në këshillën latine “preke ta njohësh”.
Ndërsa po prekja Prishtinën dhe qytetet e Kosovës, Prizrenin, Mitrovicën, Gjakovën, Pejën, Prekazin, Bondstillin, Ferizajn, Therandën, Malishevën etj., etj…
Në muajt e parë të këtij viti, u zgjerua beteja për liri në Luginën e Preshevës dhe po shfaqeshin shenjat e luftës në Tanushë, në kufirin Kosovë-Maqedoni e Veriut. Shqiptarët po merrnin një frymë të re vetëlëvizjeje dhe ngritjeje për të mos qenë më “qytetarët e dënuar me shtypje, të ish-Jugosllavisë”.
Në një ndër pasditet e punës në redaksinë e ndodhur në katin e 14 të ish Pallatit të shtypit në Prishtinë, mbërriti, në imeilin tim, një mesazh nga Dalip Greca, editor i “Illyrisë” së New Yorkut:
Sandri, “….dua të shkruash dhe raportosh edhe për ne, nga Prishtina”…
Mjaftoi ky mesazh dhe qysh të nesërmen të nisja shkrimet e mia, në më të rëndësishmet ditore dhe mujore të shtypit shqiptar si “Kosova sot” në Prishtinë, “Koha jonë” në Tiranë, “Fakti” në Shkup dhe “Illyria” në Neë York.
Mundësinë bashkëpunuese me shtypin shqiptar, në skajin dhe kryeqendrën më të madhe botërore për shqiptarët, ma afroi kolegu dhe miku im i urtësishëm, Dalip Greca. Një qytetar dhe sua gazetari që mbeti besnik i provës dhe shërbimit fisnik ndaj asaj që Faik Konica e quan: “Programa e Shqiptarëve që i duan të mirën e popullit” (Faik Konica tek “Kandili i kuq”).
Raporti ynë ishte më i natyrshmi edhe pse peripecitë i kishim të ndryshme. Kishim udhëtuar përgjatë viteve të karrierës sonë në distanca moshe dhe në mjedise me diferenca apo kahe të ashpra antagonistësh. Ishim udhëtarë të një tranzicioni të egër shqiptar në shtypin dhe median shqiptare të pasviteve 1990: (Dalipi në Lushnjë dhe unë në Gjirokastër) Por, më pas edhe në Tiranë, ai tek “Republika” unë tek “Koha jonë” .
Por tashmë na kishte afruar dhe lidhur njëkahshmërisht: Prishtina dhe Kosova me viset shqiptare.
Në koleksionin e “Illyrisë” artikujt dhe raportet e mia për ndodhitë dhe historinë intensive të vitit 2001 për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut apo për Luginën e Preshevës, janë një dëshmi e tejkalimit të dasive mes entiteteve profesionale të gazetarëve shqiptarë.
Dalip Greca si gazetar i emigruar nga Tirana në vitin 1999, u soll si editor i shërbimit të ndaj ndriçimit të parreshtur të zanafillës së “Diellit” të Vatrës. U vu në kërkimin e palodhshëm prej asketi, të koleksionit të shtypit shqiptar në Amerikë. Si askush, krijoi dhe sistemoi një opus shkrimesh në zhanre të ndryshme, kryesisht të memorialistikës. Nuk rreshti asnjë çast përgjatë 12 viteve, së mishëruari atë që porosiste At-i themelonjës i “Dielli”-t dhe “Albania”-s, Konica:” … të kemi për detyrë t’i goditim harbutët që janë mbledhur e kanë bërë shoqëri të mpshehët për të gënjyer, për të rjepur e për të ngordhur urie popullin shqiptar…”
Dalip Greca, në tri-katër dekadat e fundit, të jetës profesionale, shëmbëllen si në shërbesën e asketit të punës që mishëron Kodin te “Thëniet e Etërve”: “Nga ty nuk kërkohet ta mbarosh punën e nisur, por të mos e braktisësh kurrë”.
Dhe Dalipi nuk e braktisi kurrë punën. Sidomos nuk i ndërpreu ato, të nisurat. Punoi me aftësinë e durimtarit dhe me heshtjen e të mençurit. Ndodhi me të, sikundër e thotë Harold Bloom, sikur ta dinte se “heshtja është gardhi i mençurisë”.
Në gati 12 vite rresht si editor i “Diellit”, Dalip Greca nxori nga thellësia e harresës dhe koleksioneve, histori dhe profile të harruara të intelektualëve, personaliteteve dhe sidomos, risolli në dijeni, një materie të pasur të mendimtarisë shqiptare në emigracion dhe kryesisht në SHBA.
Në këtë mënyrë ai krijoi fondin më jetëgjatë të kontributit të vet. La punën dhe veprën librore të tij, e cila ka tashmë një jetë vijuese, matanë asaj të mishtës që pati njeriu Dalip.
Për shkak të kësaj pune dhe librave që ka lënë, për shkak të mishërimit të kontributit të tij në letër të shkruar dhe libra të botuar e të përgatitur, ne vijojmë të përballemi me autorin Dalip Greca si në porosinë e Bloomit se :” bota gjykohet nga mirësia dhe gjithçka varet nga sasia e punës”.
Dalip Greca i kishte të dyja: mirësinë e papërsëdytshme si njeri dhe qytetar, dhe sasinë e punës si punëtor dhe intelektual apo anasjelltas.
I mbarti dhe dëshmoi mishërueshëm në krejt jetën e tij, sepse pati në thellësinë e vetvetes ndërgjegjen atdhedashëse dhe njeriçmuese. Për këtë arsye, pësoi dhe mbarti edhe vuajtje dhe lëndime vetiake, edhe pengesa, edhe durime dhimbjesh. Por gjithësesi, ia doli suksesshëm, sepse sikundër e thotë Dostojevski: “Vuajtja është shkaku i vetëm i ndërgjegjes”.