Gjykata Kushtetuese ka rrezuar kërkesën e Sali Berishës, i cili kërkoi pavlefshmërinë e masës së sigurisë ‘arrest në shtepi’, të vendosur një vit më parë nga Gjykata e Posaçme, lidhur me dosjen Partizani.
Gjykata Kushtetuese njofton se, “pasi shqyrtoi fillimisht kriteret e legjitimimit të kërkuesit, arriti në përfundimin se: ai legjitimohet si për kundërshtimin e vendimeve gjyqësore për zëvendësimin e masës së sigurimit personal, ashtu edhe për kundërshtimin e procedurës së ndjekur nga Kuvendi për dhënien e autorizimit për caktimin ndaj tij të masës së arrestit në shtëpi.
Gjykata vlerësoi se pretendimet në lidhje me pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatave të posaçme për shkak të ligjit nr. 95/2016 nuk mund të merret në shqyrtim pasi përbën gjë të gjykuar.
Po kështu pretendimet në lidhje me parimin e sigurisë juridike për shkak të paqartësisë së dispozitave procedurale penale që lidhen me kohën e ekzekutimit të masave të sigurimit, nuk mund të merren në shqyrtim pasi kërkuesi nuk kishte shteruar mjetet juridike”.
Kujtojmë se me datë 21 nëntor, Gjykata Kushtetuese interpretoi masat e sigurisë “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit” nuk pengojnë punën e deputetit dhe mund të vendosen pa autorizim nga Kuvendi, duke rrëzuar pretendimet e ish-kryeministrit Sali Berisha se SPAK kishte shkelur Kushtetutën.
“Për rrjedhojë, gjykata njëzëri arriti në përfundimin se në rastin konkret, kjo masë nuk përbën kufizim të lirisë personale dhe, për pasojë nuk nevojitet autorizimi nga Kuvendi për zbatimin e saj ndaj deputetit,” thuhet në njoftim. Gjykata arsyetoi se mbrojtja nga imuniteti nuk shtrihej mbi këto dy masa të parashikuara.
“Për pasojë, kërkuesi në cilësinë e deputetit nuk gëzon mbrojtje të veçantë në këtë aspekt, ndaj Gjykata me shumicë votash vlerësoi se kërkimi i autorizimit të Kuvendit nga Prokuroria për këtë masë nuk ishte i nevojshëm,” thuhej në njoftim.
Gjykata Kushtetuese e interpretoi shprehjen “heqje e lirisë në çfarëdolloj forme” bazuar edhe në frymën e amendamentit kushtetues të vitit 2012, i cili synonte reduktim sa më të madh të imunitetit procedural të deputetëve. Sipas vendimit, neni 73/2 duhet të interpretohet ngushtësisht si një avantazh i përkohshëm procedural që e gëzojnë deputetët në funksion të mirëfunksionimit të Kuvendit në tërësinë e tij dhe jo si privilegj i deputetëve si individë.
Kushtetuesja po ashtu rrëzoi pretendimet e ngritura nga Berisha për anësinë e Gjykatës së Posaçme në vendimet e masës së sigurisë. Megjithatë, ajo pranoi pretendimin se bllokimi i pasaportës ishte joproporcional dhe se në rastin e Berishës, masa “detyrim paraqitje” ishte e mjaftueshme.
Berisha ndodhet në hetim prej tetorit të vitit të 2023 për akuzën e korrupsionit pasiv, kohë kur u vendos masa e sigurimit “detyrim paraqitje” dhe “bllokim pasaporte”. Masa e tij u rëndua në “arrest shtëpie” pasi ish-kryeministri Berisha refuzoi të zbatonte vendimin e gjykatës, por më 27 nëntor 2024 u la i lirë me vendim të GJKKO.
Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese:
Në datën 17.01.2025, Gjykata Kushtetuese (Gjykata) mori në shqyrtim çështjen me kërkues Sali Berisha, me objekt shfuqizimin e vendimeve nr. 520, datë 30.12.2023 dhe nr. 521, datë 27.12.2023, të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 15 (87-2024-23), datë 25.01.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2024-667 (94), datë 09.04.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Gjykata, pasi shqyrtoi fillimisht kriteret e legjitimimit të kërkuesit, arriti në përfundimin se: ai legjitimohet si për kundërshtimin e vendimeve gjyqësore për zëvendësimin e masës së sigurimit personal, ashtu edhe për kundërshtimin e procedurës së ndjekur nga Kuvendi për dhënien e autorizimit për caktimin ndaj tij të masës së arrestit në shtëpi.
Gjykata vlerësoi se pretendimet në lidhje me pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatave të posaçme për shkak të ligjit nr. 95/2016 nuk mund të merret në shqyrtim pasi përbën gjë të gjykuar.
Po kështu pretendimet në lidhje me parimin e sigurisë juridike për shkak të paqartësisë së dispozitave procedurale penale që lidhen me kohën e ekzekutimit të masave të sigurimit, nuk mund të merren në shqyrtim pasi kërkuesi nuk kishte shteruar mjetet juridike.
Për sa i takon themelit të çështjes, duke mbajtur në konsideratë argumentet, parashtrimet dhe prapësimet e palëve, Gjykata vlerësoi se:
Gjykata me shumicë votash vlerësoi se këto pretendime nuk janë të bazuara.
Gjykata bazuar në nenin 73, pika 4, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, vendosi rrëzimin e kërkesës, për shkak të mosformimit të shumicës së nevojshme vendimmarrëse prej 5 gjyqtarësh.
Në përfundim Gjykata vendosi rrëzimin e kërkesës.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.