Associated Press
Italia njoftoi se po përgatit transferimin e 49 imigrantëve të kapur në Detin Mesdhe në qendrat e reja në Shqipëri, përpjekja e tretë për një transferim të tillë që po përballet me pengesa ligjore.
Anija ‘Cassiopea’ e ngarkuar me imigrantë pritet të arrijë në portin e Shëngjinit të martën në mëngjes, sipas zyrtarëve të portit.
Ministria e Brendshme njoftoi të dielën se edhe 53 imigrantë të tjerë “vullnetarisht paraqitën pasaportat e tyre” pasi iu bë e ditur se një veprim i tillë do të shmangnte transferimin e tyre në Shqipëri. Në rastet kur shtetësia konfirmohet, procedurat përgjithësisht marrin më pak kohë meqë personat të cilët Italia i përcakton se nuk përmbushin kriteret për të aplikuar për azil në Bashkimin Evropian riatdhesohen përmes një procedure të përshpejtuar.
Gjykatësit italianë e hodhën poshtë vendimin për mbajtjen e dy grupeve të para të vogla në kampin në Shqipëri, i cili u ndërtua përmes një marrëveshjeje të diskutueshme ndërmjet Romës dhe Tiranës.
Këto raste iu referuan Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, e cila kishte përcaktuar në të kaluarën se azilkërkuesit nuk mund të kalojnë nëpër procedurë të përshpejtuar që mund të çojë drejt riatdhesimit të tyre nëse vendi i tyre i origjinës nuk konsiderohet si plotësisht i sigurt.
Seanca dëgjimore mbi këtë rast në gjykatën evropiane është caktuar më 25 shkurt.
Qeveria e Kryeministres italiane Giorgia Meloni është zotuar t’i riaktivizojë dy qendrat në Shqipëri, të cilat kanë mbetur të pashfrytëzuara që pas vendimeve të gjykatave italiane.
Qëndrimi i kryeministres është mbështetur pjesërisht nga një vendim i gjykatës më të lartë të Italisë, në fund të muajit dhjetor, sipas të cilit gjykatësit italianë nuk mund të luajnë rolin e qeverisë dhe të merrnin vendime për politikat që i takon qeverisë t’i përcaktojë, se kush është për shembull shtet i sigurt, në të cilin imigrantët, që u është refuzuar azili, mund të riatdhesohen.
Vendimi, gjithsesi u lejon gjykatave më të ulëta, të marrin vendime për raste individuale, por jo të përcaktojnë politika të përgjithshme.
Italia ndau 675 milionë dollarë për funksionimin e këtyre qendrave gjatë pesë viteve të ardhshme. Ato u hapën në tetor, për emigrantët e kapur nga roja detare italiane në ujërat ndërkombëtare, me një kapacitet prej deri 3,000 imigrantësh në muaj.
Grupet e të drejtave të njeriut dhe organizatat joqeveritare, që janë aktive në Mesdhe, e kritikuan marrëveshjen si një precedent të rrezikshëm që është në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare.
Kryeministrja Meloni vazhdimisht ka thënë se planet për të dërguar imigrantët në Shqipëri, për t’iu nënshtruar procedurave jashtë kufijve të Bashkimit Evropian, mori përkrahje të fuqishme nga udhëheqësit e tjerë evropianë.