Nga Laura Olldashi-
Fshij mjegullën, nga xhamat e dritares, për të parë të premtet e botës.
Mund të kishte qenë pjesë e një tregimi. Por, është vetëm një fjali, që nuk e njeh akoma ekzistencën e saj. Ndërsa, për çfarë dëshiroj të tregoj, ka të bëj me të premten dhe me një email. E premtja është një ditë që zakonisht më rëndon. Java mbyllet, lodhja ndihet, ritmet, plus të shtojmë edhe një konfuzion të madh, të cilën ma la gripi (edhe gripi është bërë modern si ne). Pra, një e premte e errët. Për arsye shëndeti isha në shtëpi përpara filxhanit të çajit, me pikëpyetjet mbi ekzistencën. Kuptimin e jetës, misionin dhe pse “çmenduria ime – shkrimi” nuk po më ndihmon në mirëqenien e shpirtit. Biles, këtë të fundit, kisha filluar t’a shihja si të padëshiruar sepse nuk po sillte evoluimin. Në këtë errësirë dhe konfuzion (ndoshta edhe temperaturë e lartë), më hipën në kokë të bëj një çmenduri: ti shkruaj Prof. Umberto Galimberti.
Mendoj kush më mirë se profesori do m’i jap përgjigjet!
Nuk është gjë e re. Kam vite që ndjek videot e tij. Ëndrra ime është që të bëhet mentori im: ëndrra me sy të hapura si Hirushe që jam.
E nis e-mailin me thënien e shkruar në shqip: “Hedhim ujin në hava” duke i’a shpjeguar shprehjen ndërmjet filozofisë së Mitit të Sizifit. Pastaj i flas për vazon e Tagorës që zbrazet dhe nuk mbushet. Duke e përfunduar me rrëfimin e Jungut mbi burrat e një tribu-je, që ngrihen pagdhirë dhe marrin malet, për të ndihmuar në lindjen (ngritjen) e Diellit. I flas për lumturinë e tyre gjatë këtij misioni utopik dhe jo të vërtetë, të cilët e bënin edhe për njerëzimin. Kështu, i bëj krahasimin edhe me “çmendurinë e shkrimit” që mund të jetë njëlloj si një ëndërr me sy të hapura. I cili më largon bukur nga realiteti por kur mbaron “efekti”, realiteti është aty dhe i njëjtë. Kuptohet që shtova edhe pyetjet (që nuk më mbarojnë): ku mund ta gjejmë kuptimin e ekzistencës; nëse e ka një kuptim; a jemi iluzion; mbi krizën e njeriut modern; absurditetin dhe kotësinë e tij; përdorimi i njeriut si “procedurë”, “arritje objektivash” dhe “asgjësimi” i tij kur nuk duhet më.
Këto gjëra i kombinoj bukur në një letër dhe i’a nis.
Të martën, në mëngjes, më vjen përgjigja. E dija që do më shkruante sepse e kam parë si njëri të madhërishëm. Për mua, madhështorja ka të bëj me thjeshtësinë.
Më shkruan për sensin e jetës të cilën e gjejmë në çfarë bëjmë; në realizimin interior të ekzistencës dhe për t’a detajuar më mirë, më fton në konferencën e tij me temë:
“Quando la vita era regolata dal Cuore”, në Teatrin Manzoni.
Hera e parë që nuk pata asnjë hezitim dhe i them “Po”.
Përpara disa ditëve do të dëgjoja diskutimin e filozofit Byung Chul Han, i ftuar në Festivalin e Piacencës. Edhe ai do të fliste për krizën e njëriut të sotshëm: i vetëm dhe i humbur. Ndër të tjerash, do të thoshte që akrepat e orës nuk kanë qenë më afër, se kurrë, mesnatës.
Shpëtimi, sipas tij, është:
«Shpresa radikale; shpresa për të krijuar diçka të re, të panjohur më parë. Shpresa që nuk ka lidhje me optimizmin, as pesimizmin dhe as me frikën.»
Në fjalimin e tij, do të fliste gjatë edhe për ëndrrat. Jo, ato të para në gjumë, të cilat mbarojnë sapo zgjohemi. Por ëndrrat me sy të hapura, ato që i krijojmë dhe i realizojmë gjatë ditës.
E dëgjova dhe më kujtoj Lorin. Shpesh herë më thotë: që jemi bërë me shumë sakrifica por më ke mësuar të ëndërroj “in grande”. Qesh, sepse ajo sot është duke përfunduar në mënyrë ekselence mjekësinë ku edhe sapo ka fituar bursën. Lori, që në gjimnazet e Milanos shkonte me atlete të grisura. Kur i kishte të reja do ti bënte një vrimë sepse nuk ishte mësuar.
Për momentin, di të them që kam një korrespondencë me profesor Umberto Galimberti. Të tjerat, mbi ne dhe ekzistencën tonë, do ti zbuloj gjatë konferencës. Uroj të mos më pyes për shpjegimin e ndonjë fjalë të urtë popullore.
Fshij mjegullën, nga xhamat e dritares, për të parë të premtet e botës.
Edhe një fjali kërkon të jetë “diçka” në jetë.
– e shtunë, 18 Janar, Milano