Kritika letrare me (pa)ndërmjetës

7 Minuta Lexim

Nga Behar Gjoka-


Po a ka nevojë për ndërmjetës lexuesi i letërsisë?! Sërish si përherë, në marrëdhënie me letërsinë, pra edhe me letërsinë e sotme, shfaqet pyetja, që më tepër tenton që të rrokë thelbin e letrares, sepse ndërmejtësimi më tepër është një zgjatim didaktik. Në syrin tim, është term i pagjetur, me shumë gjasa një stisje e rimarrë nga modeli i realizmit socialist, për ta patur nën kontroll kreativen, por mjerisht edhe vetë lexuesin, si tregues i leximit të orientuar. Pse mendoj i pagjetur, për termin ndërmjetës, sepse leximi i librave të caktuar, të çon në interesa të caktuara, në interesa shkencore te libri shkencor, interesa letrare te libri letrar, interesa nga më të çuditshmet, e pothuajse të pashpjegueshme.
Pra, nevoja për të lexuar, secilin libër, është një kërkesë e brendshme te njeriu. Në këtë kuptim unë do të thoja se a ka nevojë për gazeta, për revista të mirëfillta, që të afirmojnë autorët dhe të kritikojnë dukuritë që vihen re në tekstet e shkruara, por padyshim që të marrësh përsipër që të shtjellosh idenë se nuk duhet të ketë poezi erotike, kjo është veçse një marrëzi “heroike”, e kohës së Babaqemos. Poezia nuk lexohet tematikisht, poezia, proza dhe çdo gjë që emërtohet letërsi, lexohet estetikisht, pra nëse ne duam që të shkojmë te letërsia e mirë duhet që ta lexojmë vetëm si tekst, sepse duke e lexuar si tekst do të kuptojmë nëse ka shumë ujë, ujë apo ka edhe estetikë dhe art e kështu me radhë. Në këtë kuptim unë do të thoja se kritika e recensës, kritika e prezantimit, kritika e reagimit ndaj librave cilësorë, pra kritika letrare e mirëfilltë, tashmë duhet që të shoqërohet edhe me atë që quhet verifikim i vlerave estetike dhe, porse edhe verifikim i heshtjes së mungesave, në tekstet që bartin vlera dhe jo në librat që shkarrashkruhen, sa për të bërë emër dhe famë.
Unë nuk mendoj se kritika apo studimet letrare që merren me historinë e mungesave, që do të ishte një kontribut krejt i lodhshëm dhe pa grimën e vlerës dhe mendoj se do të mbyteshim me një pikë ujë, në atë që quhet, kinse det i letërsisë dhe do të humbim në atë pyll të tmerrshëm, ku është e vështirë që të ndash letërsinë nga jo letërsia, vlerën nga antivlera.
Megjithatë, përveç raportit personal dhe shijes, kreatives dhe leximit, pamëdyshje të rileximit, përveç raportit ndërmjetës le të themi, sepse kështu dikush e pranon, ndonëse është një term që të kujton motet e realizmit socialist, kohës kur kritika letrare, vihej në mes letërsisë dhe lexuesit, madje sipërmerrte të udhëhiqte letërsinë. Ka një raport të përjetshëm, tek e fundit se me librin e mirë, librin modern, librin jo thjeshtë të blerë, jo thjeshtë të lexuar, përgjigjja nuk jepet dot në këtë moment, kur nuk ke lexuar libra të autorëve të kësaj periudhe. Ka gjithmonë një akt të parë që zgjon interes, vetëm nga leximi, ka gjithmonë një moment të dytë që me domosdo do ta argumentosh zgjimin e interesit, ose nevoja për rilexim, që nuk ka ardhur për arsye jashtëletrare. Unë kam gjithmonë parasysh tekstet dhe jo autorët kur flas për letërsinë, pavarësisht kohës dhe hapësirës, kur dhe ku u shkruajt një tekst letrar, sepse teksti në të gjitha rastet e tejkalon autorin, si gjasa të komunikimit me lexuesin. Në këtë periudhë janë botuar edhe libra të politikanëve të mirëfilltë, por që tashmë nuk i mban mend askush, kjo tregon se tek e fundit ishte një përpjekje për t’u çuditur vetë dhe prandaj duhet të kthehemi te pjesa serioze e marrëdhënies me letërsinë, jo me letërsinë si kontribut, me letërsinë jo si situatë ku secili shpërndan grada apo merrë grada, por me letërsinë si materie artistike, si atdheu shpirtëror i kohës. Po kaq, në turravrapin për të fituar famë me anë të letërsisë, në këtë kohë u lëshuan gazetarë, opinionistë, aktorë dhe ambasadorë, e ku di unë, me bindjen se janë të famshëm në fushën e tyre, dhe ia kalëruan letërsisë. Jo, ndërkaq do të thosha se letërsia është bota e të gjithëve, është universi, fryma, është tek e fundit e sotmja dhe e nesërmja, është shpirti teksa e cila, i jep mundësi që secili “zhgarravit”, shkruan atë çka bota do ta pranojë apo jo, e në mënyrë të veçantë, koha e mban ose e lëshon dikur në humnerë si bëzhdile.
Do ta pranojë në kuptimin që do ta hipotekojë si vlerë, ose do ta lërë anash, por që gjithmonë këmbëngul në një pike, pa lexuar tekstet, nuk ka gjasa të flitet për librat dhe autorët. Ne, banorët e shekullit të njëzet e një, edhe në dhëniemarrje me letërsinë, mbartim një mentalitet të pushtetit të djeshëm, sepse pushteti i djeshëm merrte përsipër sesi duhet të shkruash, edhe sot pavarësisht lirisë së kushtëzuar nga kushtetuta dhe të drejtat, mentaliteti është po ai, sepse burokracia kulturore dhe letrare, merr përsipër të udhëheq letërsinë dhe mendimin për të, që të ndërmend situatën e sugjerimit të Tomas Eliotit, mbi “shijen e mbrapshtë të leximit”.
Të mos harrojmë përvojën e mjeshtrave të shkrimit, ku do të veçoja një pohim të Ernesto Sabato-s, teksa shprehet: …vetëdija e njeriut është jokohore: ajo përmban të tashmen, po është një e tashme e mbushur me të shkuarën dhe e ngarkuar me projekte për të ardhmen…(2015: 25, te libri “Shkrimtari dhe fantazmat e tij”. Kur them te burokracia kam parasysh burokracinë kulturore dhe letrare, ku burokracia nuk siguron shijen e tij, por sugjeron paragjykimin e shijes së tij.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull