Kur do të flasim seriozisht për tekstet shkollore?

2 Minuta Lexim

Nga Sonila Meco-

 

Hyj e mbërdhirë në shtëpi pas një dite të gjatë dhe gjej time bijë të skuqur, syçakërryer teksa jepte e merrte me faqet e një libri shkolle…
“Më ndihmo se po plas!”, më thotë, ndërsa ka bërë kapicë letra me simbole dhe boja e stilolapsit i ka mbërritur gjer në vetull.
I kthehem me nervat e lodhjes, i bëj 5 minuta moral mbi sjelljen dhe rëndësinë e studimit të pavarur se tani është në klasë të tetë. Çuditërisht më dëgjoi me qetësi dhe vetëm pasi bëra pauzë të gjatë në fund, shoqëruar edhe me një gotë ujë për të stabilizuar frymëmarrjen dhe kordat e zërit tim në oktavë më thotë: “Jam plotësisht dakord me ty. Veç hidhi një sy e flasim prap!”.
Gjithë karshillëk, me një psherëtimë të tipit “brez i lodhur, brez përtac” e mora librin, qe i Kimisë dhe ulem si zonjë e rëndë për t’ja shkoqitur temën, me shprehjen gati përveshur gjuhe “e ç’ka këtu për mos t’u kuptuar xhanëm”…kur ç’të shoh?!🙈
Lexojeni vetë, unë u dorëzova pas leximit të shtatë. Asnjë lidhje me temat pararendëse, asnjë shpjegim të mëhershëm për termat. Libri me autorë të huaj është një torturë mizore, që djeg neurone pa mëshirë. Në kohën e shpërthimit teknologjik, kur AI po konkuron njeriun, programet mësimore të miratuara nga Ministria e Arsimit ftojnë 13 vjeçarët në këtë vrap mbrapsht me pengesa.
E pashë mirë të voglën, i dhashë një përqafim e ia freskova faqet përvëlim prej atij mundimi pa arsye dhe kur mendoja se do më kthehej: “A të thashë?!”, qeshi dhe më foli butë: “E të mendosh, që kimia më pëlqen, dua ta mësoj, eksperimentet ia përpij kur i shoh në youtube, por sikur më shan e mallkon kur përpiqem ta lexoj në libër”.
Kur do të flasim seriozisht për tekstet shkollore?

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull