Kur lindi Umberto, nje rast tjeter shkelqimi me vendlindje Aleksandrine

6 Minuta Lexim

Nga Zija Vukaj-

 

Më 5 janar 1932 u lind në Aleksandri Umberto Eko, një nga personalitetet më të rëndësishëm të kulturës botërore, i konsideruar deri më sot si njeriu më i ditur i planetit. Në nderim të kësaj ikone të përbotshme po vendos një fragment nga libri i tij i fundit “Rrëfimet e një romancieri të ri”, të cilin pata fatin ta sjell në shqip në vjeshtën e vitit 2024.
SI SHKRUAJ
Kur më pyesin në një intervistë “Si i shkruan romanet e tu?”, menjëherë përgjigjem “Nga e majta në të djathtë”. E kuptoj se nuk është një përgjigje e kënaqshme e mund të prodhojë njëfarë varfërimi po të jepet në një vend arab apo në Izrael. Tani kam mundësi të jap një përgjigje më të detajuar.
Duke shkruar romanin tim të parë kam mësuar disa gjëra. Para së gjithash “frymëzimi” është një fjalë e shëmtuar që e përdorin shkrimtarët e këqinj për t’u dukur artistikisht të respektuar. Siç thotë fjala e urtë angleze “genius is ten percent inspiration and ninety percent perspiration”, gjeniu është bërë nga dhjetë për qind frymëzim dhe nëntëdhjetë për qind djersë. Tregohet se poeti francez Lamartin kishte përshkruar shumë herë rrethanat magjike ku pati lindur një nga poezitë më të mira të tij; ngulte këmbë se kishte lindur si shkreptimë një natë që po kalonte në një pyll. Pas vdekjes së tij i kanë gjetur në studio shumë variante të asaj poezie, shkruar e rishkruar ndër vite.
Recensentët e parë të “Emri i trëndafilit” thoshin se ishte shkruar nën ndikimin e një drite frymëzimi por që, për shkak të vështirësive konceptuale e linguistike, ishte për një numër të ngushtë lexuesish. Pastaj, kur libri ka filluar të shitet në një numër të paimagjinueshëm kopjesh, miliona kopje, të njëjtët kritikë kanë shkruar se, për të bërë bashkë një best seller me suksesin e masës, duhej ndjekur një recetë e fshehtë. Më vonë kanë shkruar se suksesi i detyrohej një programi të kompjuterizuar- duke harruar se të parët personal computer me një program shkrimi të përdorshëm ishin shfaqur vetëm në fillim të viteve tetëdhjetë, pasi kishte dalë libri im. Kur e shkruaja në vitet 1978- 1979, edhe në Shtetet e Bashkuara qarkullonin vetëm kompjuterë të vegjël (më duket se quheshin Tandy) që askush s’kishte mundur t’i përdorte, veçse për të shkruar ndonjë letër.
Më vonë, pak i bezdisur nga kjo histori me kompjuter, kam formuluar në mënyrë polemike një recetë të mirë për të shkruar një best seller përmes informatikës:
“Para së gjithash duhet një kompjuter, natyrisht, që është një makinë inteligjente e cila mendon për ju- gjë që mund të përbëjë një avantazh të sigurt për shumë persona. Ju duhet një program për pak linja dhe një fëmijë që të dijë ta përdorë. Në këtë pikë ushqejeni kompjuterin me përmbajtjen e nja njëqind romaneve, veprave shkencore, Biblën, Kuranin dhe një sasi të madhe guidash telefonike (shumë të nevojshme për emrat e personazheve). Të themi, së bashku, njëqind e njëzet mijë faqe. Pasi t’i përzieni këto tekste, duke u kufizuar në pak ndreqje të dorës suaj, për shembull duke eliminuar të gjitha e-të, që të keni kështu jo një roman, por një lipogramë alla Perek. Pastaj shtypni tastin “Shtyp” dhe, duke pasur tashmë të eliminuar të gjitha e-të, rezultati do të jetë më pak se njëqind e njëzet mijë faqe. Pasi t’i keni lexuar të gjitha me kujdes shumë e shumë herë, duke nënvizuar pasazhet më domethënëse, hidheni të gjithën në një furrë djegieje. Pastaj uluni qetësisht nën një pemë me një thëngjill e një letër dhe, duke e lënë të endet mendjen tuaj, hidhni poshtë nja dy rreshta, për shembull: “Hëna është lart në qiell/ pylli fëshfërin”. Ndoshta rezultati nuk do të jetë një roman, por një hajk, po e rëndësishme është të fillosh.”
Duke qenë se po flasim për ngadalësinë e frymëzimit, duhet të them se tek “Emri i trëndafilit” më ka kushtuar vetëm dy vite punë, sepse nuk m’u desh të bëja ndonjë kërkim mbi Mesjetën. Siç kam thënë, teza ime ka qenë mbi estetikën mesjetare dhe në vazhdim i kisha thelluar këto tema. Kisha vizituar shumë abaci romane, katedrale gotike etj. Kur vendosa të shkruaja romanin, ka qenë sikur të hapja një raft, ku për thuajse tridhjetë vjet kisha grumbulluar qindra skeda. Gjithë ai materiali ishte në këmbët e mia dhe më duhej vetëm të zgjidhja atë çfarë kisha nevojë. Për romanet që erdhën më pas situata ka qenë e ndryshme (edhe nëse zgjedh njëfarë argumenti, vjen ngaqë me këtë kam tashmë ndonjë familjaritet). Ja pse romanet në vazhdim më kanë marrë më shumë kohë: tetë vjet për “Lavjerrësin e Fukoit”, gjashtë për “Ishulli i një dite më parë” e “Bodolino”. Për “Zjarrin misterioz të mbretëreshës Loana” kam punuar vetëm katër vjet, sepse falë leximeve që kam bërë që fëmijë nga vitet tridhjetë e dyzet dhe kam mundur të përdor shumë material që kisha në shtëpi, si libra me figura, regjistrime, revista apo të përditshme- shkurt koleksioni im i plotë me kujtime, nostalgji e çikërrima.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull