Nga Bahri Cani-
Kryeministri Albin Kurti dhe disa ministra si dhe kandidatë të LVV mbajtën mbrëmë tubimin më të madh deri tani në mërgatë, në Cyrih të Zvicrës, ku folën për arritjet e qeverisë Kurti dy dhe i bënë thirrje mërgimtarëve që të votojnë numrin 118. Kurti foli para mijëra simpatizantëve të tij të ardhur nga Zvicra dhe vende të tjera për sukseset e viteve të kaluara, me theks të veçantë edhe tek masat e ndërmarra në veri. Të gjithë folësit theksuan rolin e jashtëzakonshëm të mërgatës, ndërsa Kurti në veçanti u prit me brohoritje të mëdha. Ai u shpreh i bindur për fitoren e LVV në këto zgjedhje dhe ftoi mërgatën të vijë dhe të votojë me 9 shkurt. Tubimi është mbajtur në përfundim të vizitës së tij në Davos në Forumin Ekonomik ku ka nënshkruar edhe Marrëveshjen EFTA për tregti të lirë me Zvicrën, Norvegjinë, Islandën dhe Lihtenshtajnin. Zvicra është vendi i dytë me numrin më të madh të mërgimtarëve nga Kosova të regjistruar për votime, pas Gjermanisë.