MORE BIRBIL – O, MOR, E QAJ ME LOT!… (ose, letër miqve të mi, Pëllumb Kullës dhe Timo Merkurit)

9 Minuta Lexim
Nga Arqile Garo
(ose, letër miqve të mi, Pëllumb Kullës dhe Timo Merkurit)
Të dashur Pëllumb dhe Timo. Kam shumë vite që mendoj ta shkruaj këtë letër, po me sa duket, nashi, siç thoshte dhe i madhi Lenin, u poqën kushtet.
Këngën që do parashtroj më poshtë, e kam dëgjuar që në djep, e dëgjoj dhe sot e kësaj dite dhe jam i bindur që do dëgjohet edhe në shekujt që do vijnë.
Kënga këndohet në greqisht: “Stis Dheropolis ton kambo”, “Në fushën e Dropullit”.
Përbehet nga ca vargje të thjeshta, të krijuara nga rapsodi anonim, popull. Do përpiqem ta sjell cazë në shqip me aftësitë e mia të kufizuara në shqipërim. (Si minoritari qe jam, nuk e flas mirë shqipja!…)
Dëgjoni or miq të mi se ç’ thotë kjo këngë:
Atje tej në fushë në fushë në Dropull,
është një lis që atje ka mbirë.
Poshtë lisit një trim i shtirë,
Doriun atje ka lidhur.
Hingëllin, vajton Doriu.
– Ngrehu Imzot edhe shalomë!
– Oh! Nuk mund Dori i shkretë!
Jam i vdekur, i pajetë!
Ky është versioni që këndonin të parët e mi… Më vonë kam dëgjuar dhe varjante të tjera por… varu qepën…
Dhe, i dashur Timo do më thuash ti: – Edhe ç’ u bë?! O’ hu sa të tilla kemi na në Labëri… Dale o i uruar mos u ngut se nuk kam mbaruar ende.
***
Hë pra! Duke u rritur nisa dhe të hulumtoj… Pse Rapsodi Dropullit ngreh një “kala” kaq madhështore për një trim pa emër aq më tepër që ka gjasa që i vdekuri të jetë shqiptar?! Hë pra, jepi dum Arqile Garo, i thashë vetës. Dhe shpjegimi miqtë e mi të dashur qëndron tek refreni i këtij vajtimi legjendar…
Sepse kënga ligjërohet me refren. Dhe këtu qëndron mrekullia.
Atje tej në fushë, në Dropull,
more birbil – o, mor, e qaj me lot!
është një lis që atje ka mbirë.
more birbil – o, mor, e qaj me lot!
Poshtë lisit një trim i shtirë,
more birbil – o, mor, e qaj me lot!
Doriun atje ka lidhur.
more birbil – o, mor, e qaj me lot!
Hingëllin, vajton Doriu.
more birbil – o, mor, e qaj me lot!
– Ngrehu Imzot edhe shalomë!
more birbil – o, mor, e qaj me lot!
– Oh! Nuk mund Dori i shkretë!
more birbil – o, mor, e qaj me lot!
Jam i vdekur, i pajetë!
more birbil – o, mor, e qaj me lot!
Pra miq të dashur vini re: – Vargu këndohet në Greqisht, ndërsa refreni në Shqip… Hë more Timo Merkuri, dhe ti Pëllumb Kulla ç’ emër i vini ju kësaj mrekullie?!
***
Unë, pa qenë as historian, as filolog dhe as studiues i folklorit, thjesht si regjisor sajova skenarin tim.
Kënga, në bazë të studiuesve kompetentë i përket viteve të para të Bizantit. Por çfarë ka ndodhur vallë që ky djali “trimi” i legjendës gjendet i vdekur nën lisin po aq legjendar të Dropullit?!
Gjasa më logjike është që në trevat e tij është bërë një luftë: – çështje hajdutesh, pronash, gjakmarrje, dashurie, a, një Zot e di çka ndodhur por “lufta” është bërë.
Djali i plagosur, duke humbur çdo shpresë për të fituar betejën, shalon Doriun dhe nden plumbat e ndjekësve rend drejt Dropullit. Po pse vallë merr atë rrugë dhe jo një tjetër?
E para – mejtoj unë, me aq mend sa kam – ky djali nga Labëria ka miq në Dropull, (siç edhe unë kësaj dite kam plot miq në Labëri dhe ndihem bukur).
Ai është i bindur që miqtë e tij Dropullitë do ta ndihmojnë sapo të mbërrijë atje.
Përpos kësaj ai e di mirë se në Manastiret e famshme të Dropullit, ofrohet mbrojtje (azil), ushqim dhe trajtim madhor, por, mbi të gjitha, në ato manastire ushtrojnë profesionin shëronjësit popullorë (xherahët) që me medikamentet që prodhonin nga bimët çudibërëse të Murganës, Stugarës, Malit të Gjerë, Buretos dhe të Nemërçkës shpëtonin jetë njerëzish. Dhe i grah mikut të tij besnik Doriut…
Në një moment Doriu u lodh… djali është tashmë jashtë rrezikut dhe vendos të bëjë një pushim. Është errur. Ai zbret nga kali, e lidh Doriun në lis dhe shtrihet për të marrë ca veten…
Kaq!
Dhe për të qenë i saktë në skenarin tim pyeta një mik, rritës kuajsh.
– Sa kilometra mund të rendë pa pushim një kalë i mirë?
– Po rendi më shume se njëqind kilometra, kapitet, vdes! – thotë ai, specialisti.
Atëhere miq të mi unë u ula mora një hartë dhe një kompas. Rrethi njëqind kilometra me epiqendër lisin e Dropullit përfshin, pos të tjerave gjysmën e Labërisë. Pra ka të ngjarë, them unë tani, që nga andej, vinte ai djali.
***
Skenari:
“Gratë Dropullite zbresin herët në mëngjes për punët e fushës… Dëgjojnë hingëllimën vaj të Doriut dhe shkojnë drejt lisit. Skena që u shfaqet para syve mbart një trishtim të tejskashëm… Kali i lidhur në pemë ndërsa i Zoti i shtrirë pa frymë poshtë lisit. (Fakti që Doriu është i lidhur tregon që djaloshi i vdekur nuk ka renë aksidentalisht nga kali). Afrohen dhe binden që djaloshi ka vdekur.
Nga rrobat që vesh duket që nuk është vendali, nuk është Dropullit. Avash – avash zbret atje gjithë fshati. Vërejnë se djaloshi ka një plagë plumbi në sup, shkaktarja e vdekjes. Nga të jetë vallë? Si ta identifikojnë dhe të lajmërojnë të dashurit e tij? E pamundur!
Por tradita e trevave tona e thotë qartë e prerë që në lashtësi, kujtoni Antigonën: I vdekuri nuk mund të lihet i pavarrosur. Pikë, kryeradhë.
Fshati shpallet në zi. Kryepleqësia cakton detyrat, marangozët bëjnë arkivolin, prifti bën shërbesat dhe rritet e duhura… trupi i djalit të vdekur lahet, aromatiset, mbështillet me qefin, fëmijët rendin lëndinave dhe mbledhin lule për kurorat. Por…
Si mund të përcillet në botën tjetër pa u vajtuar?! Hë pra!…
Dhe mblidhen vajtueset e fshatit. Po si ta qajnë? Si ta vajtojnë kur as emrin nuk i dinë?!
Që këtej e tutje hyjmë në atë sferë që ju e trajtoni më mirë se unë.
Krye – vajtuesja, stërgjyshja ime e lashtë, pa pyetur njeri dhe pa e tjerë gjatë, vendosi edhe nisi vajtimin:
– Stis Dheropolis ton kambo… Ooooooo (isokratet vajtuese)
More bilbil – ooooo, mor, e qaj me lot!…
Pra, djaloshi i “huaj”, për t’ u rehatuar dhe që t’ i prehet shpirti përjetësisht nën paqen e amshuar, duhesh vajtuar dhe në gjuhën e nënës së tij…”
Nëse të afërmit e tij një ditë do vijnë e ta kërkojnë e dinë se ku ka vdekur dhe ku e ka varrin. Ja u thotë kënga si në greqisht ashtu dhe në shqip.
Ja pra fort të dashur Pëllumb e Timo.
Sa krenar ndihem unë, që jam stërnip i asaj stërgjyshes time Dropullite…
Ju përqafoj!
I juaji: Arqile Garo,
Janninë, më 06 janar 2025

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull