Ndaje mendjen Arben, thirri “kujtesës” dhe shkruaj, ose fike kameran!

2 Minuta Lexim
Nga Mentor Kikia-
Arben Ahmetaj “interpretoi” mbrëmë serinë e tretë të rrëfimit të tij në “Syri TV”.
Tha një mijë të zeza….
Ai nuk ka asnjë vlerë sot si politikan apo nëpunës i lartë administrativ. Por ai ka vlerë vetëm për ato që thotë, duke qenë se ka qenë vetë pjesë e asaj për të cilën akuzon ish kolegët.
Në faqen e tij në Fb, është ende përshkrimi: “Shqipëria ka arritur një transformim të rëndësishëm ekonomik e social. Sakrificat e qytetareve po shperblehen nga suksesi i reformave te thella ne cdo sektor. Po konsolidojme çdo dite themelet e Shqiperise qe duam, me shtet, pune, mireqenie”.
Megjithëkëtë, ai ka vendosur të akuzojë. Ndërsa qeveria ka zgjedhur ta injorojë, duke mos konsideruar asnjë akuzë që bëhet, në tërësi apo në emra të veçantë, përfshi edhe vetë kryeministrin. Shumë akuza janë “në ajër”, pa treguar fakte. Disa nuk publikohen sepse Ahmetaj thotë se “nuk më ka ardhur mirë kujtesa”.
Tani ka dy rrugë:
Ose prokuroria ti konsiderojë dëshmitë e tij publike, edhe ashtu siç janë “në kushtet e humbjes së kujtesës”, të pyesi Çim Pekën se nga bie rruga për tek Beni dhe të shkojë të pyesë e ti marrë dëshminë ligjore;
Ose Ahmetaj, vetë, ti drejtohet denoncimit zyrtar, me shkrim. Të rrëfejë të tijat, së pari, bashkë me to edhe të kolegëve të tij të djeshëm.
Përndryshe ta ndërpresë serialin tele-dramatik, që flet për “30 mijë Euro një shishe verë”, “15 mijë Euro një masazh”, “30 mijë dollarë një bilete NBA-je”, 15 mijë Euro për një çarter”, “më jep një autostradë, të jap një tunel”, “më jep një port, të jap një park energjie diellore”, etj etj…. Jemi deri në fyt me kësi rrëfimesh.
Nëse ndjesia dhe instikti i hakmarrjes ndaj ish kolegëve që e dëbuan nga sofra nuk kthehet në vendim për ti bërë një shërbim të mirë vendit të tij, atëherë seria e radhës do të konkurohet denjësisht nga “Osmani” në shikueshmëri.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull