Negociatat Gjiknuri-Bylykbashi: Gati draft i ri për votimin e diasporës?

2 Minuta Lexim

Problematikat e shfaqura gjatë javës së parë të regjistrimit të diasporës, kanë detyruar forcat kryesore politike në vend të takohen me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

Të premten në KQZ kanë shkuar nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi i shoqëruar nga Sekretari per Çështjet elektorale Ivi Kaso dhe Sekretari për Çështjet zgjedhore në Partinë Socialiste Damian Gjiknuri, të cilët së bashku me Ilirjan Celibashin kanë diskutuar të gjitha problemet që lidhen me procesin e regjistrimit dhe votimit të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.

Mësohet se në takim është diskutuar shqetësimi për numrin e lartë të refuzimit të regjistrimeve për emigrantët dhe rrugët se si duhet të veproje KQZ për t’i sqaruar qytetarët shqiptarë që regjistrimi të jetë i suksesshëm.

Gjithashtu çështje e mprehtë është shqetësimi i opozitës për qindra mijëra qytetarë shqiptarë që nuk kanë një dokument të vlefshëm identifikimi dhe që nuk mund të votojnë pa një të tillë.

Pjesë e bisedës besohet të ketë qenë koha që i nevojitet postës për të dërguar fletën e votimit në kohë dhe mundësia për të lëvizur afatet në Kodin Zgjedhor për të prodhuar më herët fletën e votimit.

Palët nuk kanë arritur deri më tani dakordësi në KQZ mbi rregullat e administrimit dhe numerimit të votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.

Mbetet për tu parë nëse të gjitha palët do të bien dakord të ndërhyjnë në Kodin Zgjedhor, por deri tani edhe PS edhe PD kanë deklaruar se do të votojnë çdo ndryshim që i shërben votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit./vizionplus.tv

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull