Nga Dashnor Kokonozi-
(Rezultatet e futbollit ia tregon një roje zviverane e Vatikanit)
Në historinë dy mijë vjeçare të Vatikanit, kurrë nuk kishte ndodhur që një papë të rrëfente jetën e tij për së gjalli. Papa Francesku e bëri.
Sot ishte paraqitja e librit të tij në rang botëror. Në frëngjisht doli me titullin «Espère».
Nga kapitujt e gjatë që botohen shoh se ai kërkon të ruajë një pajtueshmëri njerëzore të funksionit që ka me jetën e tij. Papa Francesku është i njohur për mbrojtjen dhe mos braktisjen e emigrantëve në fatin e tyre. Rënjët e kësaj ndjeshmërie do t’i kuptoni në kapitujt ku ai flet për gjyshërit e tij italianë që më 1929 emigruan drejt Argjentinës, në hambarët e një anijeje.
Eshtë një libër i këndshëm, ku tregon gjithçka ose pothuajse. Do të gjeni që nga pastrueset e shtëpisë e deri te prostitutat e lagjes së fëmijnisë së tij. Shokët dhe shoqet e klasës, dashuritë e fëmijënisë, e më tej diktaturën argjentinase e viktimat e saj. Dhe gjithçka që ndikoi te ai para se të bëhej papë.
E pikërisht këtë të fundit ai nuk e kishte menduar kurrë. Kujton megjithatë, se një ditë kishte parë në rrugë një lypës që mbante në supe një tabele ku ishte shkruar : « Papa Francesku I – rë». Por këtë do t’ia sjellin ndërmend më vonë kur gazetat botuan foton e lypsarit, pas fronësimit të tij.
Tregon edhe se nuk shihte TV që prej 30 vjetësh, fill pasi kishte ndeshur në disa imazhe që e kishin neveritur. Por kishte bërë një përjashtim për ngjarjet e 11 shtatorit 2011. Gjithsesi e ndjente mungesën e ekipit të tij «San Lorenco», por ndërkohë një nga rojet zvicerane të Vatikanit e vinte në dijeni të rezultateve të saj futbollistike.
Siç ndodh shpesh me pushteti dhe funksione të tilla të larta, ai flet për vetminë që ndjen, për izolimin e përditshëm. Kur isha kardinal, thotë, ecja rrugëve dhe merrja metronë. Në shpirt jam qytetës, shprehet me nostalgji. Kjo lidhje me qytetin i mungonte shumë. Veçanërisht i pëlqente të hante një pica në ndonjë lokal në rrugë. Ka krejt shije tjetër nga ajo që porosit në shtëpi, thotë me nostalgji.
Nuk mungon të hyjë edhe në detaje të funksionit të tij, veçanërisht kur flet për vullnetin që të ndryshojë mjaft gjëra.
Për këtë natyrisht që ndesh edhe në rezistencë.
Shkurt, një papë si Françesku!