Nga Sebastian Zonja-
Si mund të rritet ekonomia me bonuse pensionesh? Po me rritje rrogash? Është njësoj si një prind t’i blejë fëmijës lodra me rrogën e tij dhe fëmija të mendojë se e ka babin të pasur. I shkreti një rrogë ka. Kësisoj edhe ne na gënjen e tall Edi Rama me opozitën. Se si rritet ekonomia pa prodhim, këtë e di vetëm Edi Rama. Opozita, në vend se të paraqesë ndonjë platformë ekonomike, thotë se do i rrisë më shumë se Rama rrogat dhe pensionet. Me ça lekësh? Me lekët e Ramës, Berishës apo të Metës? Me taksat tona, se ku do i gjejnë.
Ndërkohë, edhe po ta zëmë se zhduket korrupsioni e zbardh një dritë në fund të tunelit, pyetja themelore mbetet – ç’lloj ekonomie duam të kemi, se s’ka mbetur më i ri apo e re në këtë vend që s’mendon si të emigrojë?
Për të treguar se si tallen me ne, po ju sjell në pak rreshta historinë e vendit më të varfër në botë që u bë më i pasuri – Singapori.
Si e realizoi?
Li Kuan Ju është babai i Singaporit modern. Burrë i matur, energjik dhe me vizion. Zhvilloi vendin dhe u bë shembull për Kinën e madhe dhe aleat i çmuar Amerikën. Ai shërbeu si kryeministër nga viti 1959 deri në 1990-ën. Nga një shtet i dobët post-kolonial, nën lidershipin e tij, Singapori u kthye në fuqi ekonomike globale. Pragmatizmi, meritokracia dhe planifikimi afatgjatë ishin çelësi.
Pa burime natyrore, një ishull i humbur në Azi, me Kinën e stërmadhe përballë dhe përbindëshin japonez, ç’ mund të bënte? Industrializimi i vendit ishte hapi i parë. Hapi tregun, uli taksat, vuri rregulla se do i priste dorën dhe kokën cilitdo që vidhte, ndërsa bëri thirrje për investime. Investimet vërshuan por më të rëndësishme se ato janë njerëzit. Ç’i duhen investimet një vendi plot pleq dhe që s’punojnë dot e s’përdorin dot kompjuterat e fabrikave?!
Ndaj, menjëherë krijoi Bordin e Strehimit në vitin 1960 për të adresuar krizën e strehimit. Projektet e strehimit publik ofruan për çiftet e reja dhe më gjerë shtëpi me çmime të përballueshme dhe me cilësi të lartë. Kjo politikë, sipas studiuesve, rriti stabilitetin. Njerëzit nuk largoheshin më nga vendi ishullor dhe, pas disa vitesh filloi të fuqizojë edhe identitetin kombëtar.
Si Estonia sot, Li Kuan Ju e kuptoi herët se veç “drita e dijes të çon përpara”. Reformat e thella në arsim krijuan një fuqi punëtore të kualifikuar dhe emblematike për shumë vende të botës. Sistemi arsimor u përshtat dhe përsos për të plotësuar nevojat e ekonomisë, me fokus shkencën, teknologjinë, inxhinierinë dhe matematikën (STEM). Anglishtja mësohej që në klasë të parë për t’u integruar në ekonominë globale.
Më e rëndësishmja, filloi burgu dhe sekuestrimi. Byroja e Hetimit të Praktikave Korruptive (CPIB), si BKH-ja apo SPAK-u jonë, mori frerët në dorë për të hetuar dhe ndjekur penalisht korrupsionin e zyrtarëve. Ministrave iu bë rroga 1 milion dollarë që të mos korruptoheshin. Ama, në rast se gjendjej një rast, t’i hidhin çelësat në det. Mësuesi u bë mbreti i vendit, ku kalonte ai, sikur të kalonte Perëndia.
Kësisoj u realizua gjëja më e rëndësishme – u fitua besimi i qytetarëve.
Duke qenë një vend mish-mash etnish, lideri Li e shmangu këtë problemin e getove që atëherë, që sot ankohet Franca e Gjermania prej politikave të gabuara dhe korruptuara. Ai integroi nëpër banesat sociale rë gjitha etnitë. Siç bëri qeveria komuniste tek ne që zhduku dallimin se nga vije, duke futur në një pallat nga çdo qytet.
Në Singapor dënohesh me vdekje për trafik droge sepse droga prish ekonominë dhe shthur rininë, dritën e syve të çdo vendi, thonë mediet vendase. Po këtu, si mendoni ju, a bëjnë trafik droge politikanët tanë?